Liderja e së djathtës gjermane kritikon Perëndimin: “Paqja në Evropë është e mundur vetëm me Rusinë, britanikët fajtorë për gjakderdhjen”

Liderja e partisë së djathtë gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD), Alice Weidel, në një tubim partiak në Rockenhausen paraqiti një sërë qëndrimesh kundërthënëse mbi politikën e jashtme dhe të brendshme. Ajo kritikoi ashpër Perëndimin për qasjen ndaj luftës në Ukrainë dhe bëri thirrje për rikthimin e blerjes së energjisë së lirë ruse.

Në fjalimin e saj, Weidel u ndal te temat kryesore, me fokus të veçantë te lufta në Ukrainë, kriza energjetike në Gjermani dhe politikat e rivalëve të saj CDU dhe CSU.

Duke folur për luftën në Ukrainë, Weidel theksoi se AfD ka mbështetur vazhdimisht negociatat e paqes dhe deklaroi se paqja në Evropë nuk mund të arrihet pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Moskës.

“Ndërpriteni këtë vdekje të pakuptimtë në Ukrainë. Pse vendet perëndimore, të udhëhequra sidomos nga Britania e Madhe, e penguan marrëveshjen e Stambollit në vitin 2022? Ajo do të kishte qenë një marrëveshje shumë më e mirë për Zelenskyn sesa ajo që diskutohet sot,” deklaroi Weidel.

Ajo kritikoi edhe diskursin politik në Gjermani dhe Evropë, duke thënë se “çdokush që kërkonte diplomaci u etiketua si simpatizant i Putinit”, dhe vuri në pikëpyetje vlefshmërinë e këtij argumenti në politikë serioze.

Në aspektin ekonomik, Weidel paralajmëroi se kompanitë gjermane po humbin me shpejtësi konkurrueshmërinë për shkak të kostove të larta dhe burokracisë së tepërt. Ajo deklaroi se Gjermania ka sot çmimet më të larta të energjisë në botë, për çka fajësoi drejtpërdrejt ish-kancelaren Angela Merkel.

“Ata vazhdojnë në këtë rrugë për shkak të tranzicionit katastrofik energjetik të Angela Merkelit. Duhet të shfuqizojmë taksën e CO₂. Duhet ta heqim,” u shpreh Weidel.

Si zgjidhje për krizën energjetike, ajo propozoi rikthimin te energjia e përballueshme dhe e sigurt, duke përfshirë kthimin te centralet bërthamore dhe rifillimin e marrëdhënieve tregtare me Rusinë.

“Duhet të blejmë naftë dhe gaz aty ku janë më të lira – dhe kjo është në Rusi,” shtoi ajo.

Në fund, Weidel sulmoi rivalët e saj nga CDU/CSU, duke i akuzuar për hipokrizi. Si shembull përmendi Bavarinë:

“Mëkati i tetorit të kaluar është se CSU shkatërroi centralin bërthamor Isar 2, ndërkohë që sot flasin për rikthim te energjia bërthamore.”

Ajo e përmbylli fjalimin me një mesazh të ashpër për votuesit: “Nga mëngjesi deri në mbrëmje nuk bëjnë gjë tjetër veçse gënjejnë. Ne do t’i japim fund kësaj, sepse ne bëjmë politikë për ju.”

Kategoritë
BotaLajme