LDK’ja dorëzon kallëzim penal ndaj ambasadorit Martin Berishaj

Ishte deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ai i cili gjatë seancës plenare të Kuvendit kishte paralajmëruar dorëzimin e një kallëzimi penal ndaj ambasadorit Berishaj. Këtë të fundit e realizoi të premten përkrah deputetit, Besian Mustafa.

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa kanë dorëzuar në Zyrat e Prokurorisë Speciale, Kallëzimin Penal ndaj Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës të enjten, Selmanaj ka thënë se kallëzimin ndaj tij do ta bëjë në cilësinë e kryetarit të Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike, pasi siç është shprehur ai, Berishaj ka gënjyer gjatë raportimit në komision.

Ndonëse shkarkimi i tij u kërkua, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kishte deklaruar se shkarkimi i Berishajt nuk mund të bëhet pa ndonjë arsye faktike.

“Ambasadori nuk shkarkohet për shkak të spekulimeve mediale – ai shkarkohet kur ka arsye faktike. Deri në këtë moment unë nuk kam asnjë informacion të vetëm zyrtar që shkelje të tilla kanë ndodhur”, kishte deklaruar Gërvalla.

Ndryshe, më 22 prill, Presidenca e Kosovës kishte kërkuar raport me shkrim nga ambasadori Berishaj, për pretendimet mediale të përfshirjes së tij në një skandal të madh financiar si sekser për Robert Golob, politikanin slloven.

Ky skandal ishte raportuar nga “Planet TV” të Sllovenisë, ku sipas këtij mediumi, kompania private konsulente në Mal të Zi, “MB Consulting”, e Berishajt, po hetohej ndërkombëtarisht për shkak të transferimeve të parave nga dega serbe e furnizuesit energjetik slloven (GEN-I).

Ndërkohë, Berishaj kishte mohuar këto raportime, dhe njëkohësisht ka paralajmëruar padi për mediumin në fjalë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi