Lajçak: Kurtit i duhet pak kohë të njihet me dialogun, BE-ja dhe ShBA-ja presin që ai të vazhdojë së shpejti

Përfaqësuesi i Posaçёm i BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, përfundoi vizitën e tij tre-ditore në Kosovë sot.

Gjatё vizitёs sё tij nё Kosovë menjёherё pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, Lajçak informoi fituesin e zgjedhjeve, kreun e Vetёvendosjes Albin Kurti, në detaje mbi progresin e bërë në Dialogun Prishtinë-Beograd që nga rifillimi i tij në Korrik 2020.

Ata diskutuan gjithashtu hapat e ardhshëm përpara.

“Z. Kurti dhe unë kemi pasur një bisedë shumë të sinqertë dhe konstruktive. Derisa unë e kuptoj që Z. Kurti do të i duhet pak kohë për t’u njohur me Dialogun dhe marrëveshjet e tij, si BE ashtu edhe SHBA presin që procesi i normalizimit gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë së shpejti. Jam shumë i kënaqur kur dëgjoj që Z. Kurti e kupton rëndësinë e Dialogut, ” ka thënë Lajçak.

Në Prishtinë, Përfaqësuesi i Posaçёm Lajçak zhvilloi takime me Presidenten nё detyrё Vjosa Osmani, Kryeministrin nё detyrё Avdullah Hoti dhe liderët e partive politike, përfshirë PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe për të theksuar rëndësinë e unitetit në Dialog pёrtej linjave partiake. Ai gjithashtu u takua me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, foli me ambasadorin e SHBA dhe informoi shtetet anëtare të BE-sё mbi bisedat e tij.

Nga Prishtina, ai vazhdon për në Beograd dhe Podgoricë si pjesë e vizitës së tij në rajon.

Kategoritë
LajmeVendi