Kryetarja e Alternativës dhe partnere e koalicionit me Vetëvendosjen, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se gjatë ditëve të mbetura të afatit kushtetues ekziston mundësia që disa deputetë të ndryshojnë qëndrim dhe të mundësojnë formimin e Qeverisë Kurti, duke theksuar se disa deputetët nuk mund të jenë më në Kuvend.
Kusari-Lila ka vlerësuar se në mungesë të reflektimit politik, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.
“Unë besoj që i vetmi ndryshim mund të jetë që në rast se ka vullnet të deputetëve të caktuar për të votuar qeverinë dhe mandatarin, në këtë rast kryeministri Albin Kurti mund të garantojë se i ka 61 vota dhe të thirret një seancë tjetër brenda afatit kushtetues. Kjo është e vetmja formë, por jam e bindur se nëse nuk ka ndryshim të qasjes apo të pozicioneve, zgjedhjet, siç po shihet, po shkojnë drejt atij drejtimi”, tha Kusari-Lila.
Sipas saj, edhe pse nuk ka shumë shpresë, deputetët kanë ende hapësirë për reflektim.
“Unë besoj që brenda këtij 24 orëshi deputetët e kanë pasur mundësinë, nëse do ta kenë edhe në ditët dhe orët në vijim hapësirën për të reflektuar. Procesi zgjedhor është proces zgjedhor dhe ne natyrisht përgatitemi, edhe prej më herët e kemi ditur se zgjedhjet, siç e kam deklaruar publikisht, janë e vetmja zgjidhje e qëndrueshme duke marrë parasysh edhe proceset tjera, zgjedhjen e presidentit. E vetmja mënyrë për një qeveri që të ketë një afat më të shkurtër ka qenë votimi ose pranimi i Qeverisë Kurti të propozuar dje në mënyrë që të tejkalohet kjo bllokadë me çështjen e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, theksoi ajo për Ekonomia Online.
Kusari-Lila ka theksuar se disa deputetë duhet ta kuptojnë se mund të jetë hera e fundit që janë pjesë e Kuvendit.
“Unë në veçanti nuk kam shpresë, por nëse ata kanë reflektime, le ta vlerësojnë vetë. Ka deputetë, fatkeqësisht, siç ju kam thënë edhe në seancë disave që e kanë parë për këtë periudhë të shkurtër Kuvendin ose kanë qenë e kanë marrë këtë mandat dhe do të jetë mandati më i shkurtër ndonjëherë në Kosovë për deputetë që janë zgjedhur disa për herë të parë ndoshta edhe të fundit. Disa nuk e di a do të kenë mundësinë që të zgjidhen prapë. Ka qenë një mundësi për të tejkaluar një ngërç të krijuar si rrjedhojë me pasoja të tjera për qytetarët dhe ndoshta me reflektim dhe konstruktivitet për deputetët. A do të ketë diçka të tillë nuk e di, por mundësi ekziston edhe 9 ditë të mbetura për këdo që mund t’i ketë 61 numra për Kurtin dhe VV-në”, tha ajo.
Lidhur me hapat e mëtejmë, ajo tha se gjithçka mbetet në dorën e presidentes.
“Është në diskrecion të presidentes, do të thotë është në diskrecion të presidentes e cila mundet që në konsultim me partitë politike të pyesë se a është dikush i gatshëm që t’i sjell 61 numra të deputetëve, por gjithmonë mbetet diskrecion i saj,” tha ajo.
Duke folur për ngërçin politik në Kuvend, Kusari-Lila tha se bllokada ka nisur që nga votimi për kryeparlamentaren Albulena Haxhiu e deri te pamundësia për të siguruar shumicën për qeverinë.
“Prej kur ka filluar kjo ngecje në raport me procesin e votimit për fillimisht për kandidatin për kryeparlamentare, zonjën Haxhiu, pastaj vazhdimet e shumta të seancës te pjesa e votimit të komisionit për votim të fshehtë, e deri te ndërrimi i kandidatëve për Kryeparlamentar, u pa që nuk kemi arritur të kemi një shumicë minimale që duhet qoftë për votimin e kandidatëve të kryesisë së Kuvendit apo edhe për qeverinë”, tha ajo.
Ajo shtoi se edhe përkundër përpjekjeve për marrëveshje me deputetë nga Nisma dhe përfaqësues të komuniteteve jo shumicë, shumica e nevojshme nuk u arrit.
“Më shumë ka qenë perceptim që në momentin kur të konstituohet Kuvendi do të jenë votat për qeverinë, për shkak se mund të arrihet një marrëveshje, por pa sukses deri në momentin e arritjes së seancës për votimin e qeverisë. Fatkeqësisht, kemi pasur një kohë të gjatë humbje me kërkesat për Gjykatën Kushtetuese dhe masa dy herë të vendosur nga Gjykata, pa nevojë. Në një farë mënyre është stërzgjatur ky proces që ka mundur të përmbyllet shumë më shpejt”, theksoi ajo.
Kusari-Lila shtoi se në mungesë të kompromisit, zgjedhjet e reja janë të pashmangshme.
“Që nga seanca e shtatë ose e tetë, kur e kam parë mungesën e vullnetit dhe gatishmërisë për të biseduar, kam thënë që në këtë frymë politike, zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje. Tash po shihet se pa shmangshëm po hyjmë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare”, tha ajo.
Ajo tha se edhe pse opozita ka tentuar ta paraqesë si përgjegjësi të Vetëvendosjes, bllokimi është pasojë e mungesës së vullnetit për dialog nga partitë e tjera.
“Unë besoj që do të kemi një rezultat më të mirë se zgjedhjet e 9 shkurtit. Ajo është çka ne jemi përpjekur vazhdimisht që të tregojmë edhe konstruktivitetin edhe bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe, përkundrejt se kemi pasur shpeshherë situata ku partitë e deritanishme opozitare as nuk kanë marrë pjesë në proces votimi, ku tri herë kanë dërguar lëndë në Gjykatë Kushtetuese, ku e gjithë kjo vonesë, përkundrejt se po mundohet të na faturohet ose t’i thuhet se është përgjegjësi e Grupit Parlamentar të VV-së, ndoshta në këto rrethana ka qenë pjesa më e vogël e përgjegjësisë, si rrjedhojë e këtyre mungesave të diskutimeve, mungesës së vullnetit, qoftë edhe refuzimit që të ulesh në tavolinë dhe të diskutosh për situatën”, tha ajo.
Sipas saj, zgjedhjet tashmë janë të pashmangshme dhe pritet të mbahen gjatë dhjetorit.
“Edhe pse vazhdimisht ju kemi thënë që na sfidoni, të hyjmë në afatet kushtetuese, shumë më e thjeshtë do të ishte që të bëhej më herët (shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare). Shumë më e lehtë do të ishte të menaxhohej në aspektin kohor edhe për vendin, edhe për proceset, edhe për motin, edhe për fushatën, sikur i gjithë ky proces edhe nëse nuk do të arrinim t’i kishim shumicën, të ndodhte më herët dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të radhës të kryheshin më herët. Por ishte kjo qasje e tyre që kanë kalkuluar edhe me rezultatin e zgjedhjeve lokale, pashmangshëm, dhe tashmë kanë ardhur në këtë pikë ku nuk mund të shtyhet më dhe tash e kuptuam që në muajin dhjetor do të mbyllet edhe viti, edhe proceset zgjedhore të hapura për vitin 2025”, tha ajo”, përfundoi Kusari-Lila.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës më 26 tetor, Albin Kurti, kryeministër në detyrë dhe mandatar për të formuar Qeverinë e re, nuk arriti t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të nisur një mandat të ri në pushtet. Ai mori 56 vota “për”, 52 kundër dhe 4 abstenime.
Tani i takon presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që të vendosë për hapat e mëtejmë, ndërsa partitë e mëdha opozitare, PDK dhe LDK, kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin Kurtin dhe kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja si zgjidhje për stabilitet politik në vend. /EO/
















