Kurti shprehu mirënjohje për ndihmën dhe kontributin e dhënë Kosovës nga populli dhe shteti turk, si mik e partner i dëshmuar i popullit dhe Republikës së Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në takimin me ambasadorin Angılı, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për ndihmën dhe kontributin e dhënë Kosovës nga populli dhe shteti turk, si mik e partner i dëshmuar i popullit dhe Republikës së Kosovës.
Në emër të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti i shprehu ngushëllimet më të thella ambasadorit për viktimat e tërmetit që e goditi Turqinë.
Kurti theksoi se “Republika e Kosovës është pranë Republikës së Türkiyes dhe popullit turk, dhe mbi bazën e kapaciteteve të saj, me Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe ekipet mjekësore, kanë ndihmuar në këtë kohë të vështirë”.
Ambasadori Angılı u shpreh falënderues për mikpritjen në Kosovë. Ai shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën e Republikës së Kosovës dhënë institucioneve dhe popullit turk në rajonet e goditura nga tërmeti shkatërrues.
Në këtë takim u bisedua për mundësitë e zgjerimit të mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, veçanërisht në ekonomi, siguri, mbrojtje dhe kulturë.
Duke folur për bashkëpunimin ekonomik, u theksua potenciali për rritje të shkëmbimeve tregtare, përmirësimi i bilancit tregtar, si dhe shtimi i investimeve nga bizneset e Turqisë. U bisedua edhe për lidhjet e forta kulturore ndërmjet Turqisë dhe Kosovës dhe mundësitë për organizime të përbashkëta të ngjarjeve kulturore dhe artistike.



















