“Jam i gatshëm dhe i interesuar të shkoj në takimin e radhës në Bruksel, që të paraqes hollësisht këto të dhëna dhe ta kuptojnë që ulja e tensioneve nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve…”, theksoi Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Jetish Jashari, shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, i ka vizituar policët të cilët “po mbahen peng dhe të ndarë nga njëri-tjetri nga autoritetet serbe që nga 14 qershori”, raporton Anadolu.
Kurti tha se Jashari duke e njoftuar atë me takimin që ka pasur me tre zyrtarët policorë ka mësuar se që të tre policët kosovarë të vizituar e tregojnë ngjarjen e njëjtë në mënyrë identike edhe pse qëndrojnë të ndarë në paraburgim.
“Kanë qenë tek tryeza e improvizuar për ngrënie, pra kanë qenë duke ngrënë drekë, së bashku kur 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar dhe rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë dhe që të tre e thonë rrëfimin e njëjtë kur pyeten ndaras nga njëri-tjetri nga ambasadori ynë Jetish Jashari. Kjo heq çfarëdo dileme edhe për ata të cilët dëshirojnë të jenë skeptikë për të drejtën e Kosovës se Serbia ka zhvilluar agresion më 14 qershor dhe na ka rrëmbyer tre policët tanë”, theksoi Kurti.
Ai tha se vendi ku gjendej tryeza për ngrënie ishte shtatë metra larg veturës së tyre “gjithsesi brenda territorit të Kosovës”.
Kurti tha se është i interesuar të shkojë në Bruksel në takimin të cilin e ka përmendur përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për këtë javë, me qëllim menaxhimin e krizave.
“Unë jam i gatshëm dhe i interesuar të shkoj në takimin e radhës në Bruksel, që të paraqes hollësisht këto të dhëna dhe ta kuptojnë që ulja e tensioneve nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë, ndërsa normalizimi nënkupton zbatimin e menjëhershëm të marrëveshjes bazike”, theksoi Kurti, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë kësaj jave deklaroi se refuzon të takohet me kryeministrin e Kosovës.
Më 14 qershor në veri të Kosovës, në komunën e Leposaviqit, në lokacionin e njohur si Tresave/Bare sipas autoriteteve kosovare janë kidnapuar tre zyrtarë kufitar patrullues të cilët kanë qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, me qëllim të parandalimit të shfrytëzimit të rrugëve ilegale “të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.
Kjo erdhi pasi autoritetet kosovare më 13 qershor arrestuan në veri Milun Milenkoviqit – Llune si i dyshuar për organizimin e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në protestat që filluan në veri nga 26 maji.
