Kur Mali i Zi nderon autorin e vargjeve luftënxitëse

ALBINOT MALOKU

Kur Mali i Zi e shpërblen me “nderim shtetëror” njeriun që jo vetëm fyente e nxiste urrejtje ndaj të tjerëve, por edhe shpërfytyronte anatominë e trupit të Lazar Hrebelanoviqit për kusure të mitit serb, çfarë mesazhi u dërgohet sot fqinjëve dhe vet qytetarëve të Malit të Zi, me këtë gjest simbolik dhe politikisht i ngarkuar?

Pesë vjet pas vdekjes së mitropolitit serb Amfilohije, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, vendosi ta nderojë me urdhrin më të lartë shtetëror. Është ky akti që në letër paraqitet si kujtesë për “kontributin shpirtëror e shoqëror”, por që në realitet ngre pyetje të mëdha për drejtimin politik dhe moral të Podgoricës. Kur Mali i Zi e shpërblen me “nderim shtetëror” njeriun që jo vetëm fyente e nxiste urrejtje ndaj të tjerëve, por edhe shpërfytyronte anatominë e trupit të Lazar Hrebelanoviqit për kusure të mitit serb, çfarë mesazhi u dërgohet sot fqinjëve dhe vetë qytetarëve të Malit të Zi, me këtë gjest simbolik dhe politikisht i ngarkuar? Ky akt shkon plotësisht në shpërputhje me promovimin e politikave të fqinjësisë së mirë si bazë për stabilitet dhe zhvillim, por edhe për paqe dhe integrim euroatlantik.

Mali i Zi veç anëtarësimit të në NATO vite më parë, synon që deri në vitin 2028 të bëhet edhe anëtar i Bashkimit Evropian. Urdhri më i lartë shtetëror që iu nda autorit të vargjeve “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, duket të jetë më i sinqertë se sa ndjekja e politikave paqësore e integruese të Malit të Zi.

T’i kthehemi autorit dhe vargjeve luftënxitëse “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Në pranverën e vitit 2023, ato u shfaqën si murale në Serbi me një investim financiar prej 217 000 euro nga Ministria e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës së Serbisë, për pikturimin e tyre kudo e në çdo mur publik! Për krenari të tyre në rrjetet shoqërore ishin lajmëruar edhe grupi i tifozërisë “Ylli i Kuq” në Beograd, pasi ata ishin pikturuesit e shumicës së atyre vargjeve, duke i bërë me shpenzime vetanake. Për të ndarë përgjegjësinë si çështje përbashkuese nga ky grup, thanë se muralet e para të pikturuara me ato vargje ishin bërë nga tifozët e Partizanit, me cilësimin se kjo është çështje “serbe”, e cila qëndron mbi secilën ndasi!

Amfilohije Radoviq, i lindur me 1938 në Moraçë të Ulët të Komunës së Kollashinit në Mal të Zi, ishte Mitropolit i Mali të Zi dhe Primorjes, pjesë e Kishës Ortodokse Serbe. Ai vdiq nga virusi COVID-19, në tetor të vitit 2020. Procesioni i varrimit u përcoll me tensione për shkak të pandemisë dha pavarësisht që kishte vdekur nga COVID-19, fytyra e tij ishte ekspozuar dhe ndjekësit e tij e puthnin pandalur. Kjo ngjarje pati edhe mbulueshmëri të madhe mediale, e përcjellë me shumë kritika për mosrespektim të rrethanave të jashtëzakonshme në të cilat kalonte bota.

Mitropoliti Amfilohije kishte vizituar Kosovën për vite me radhë, mirëpo të dokumentuara janë vitet 1999, 2008, 2012, 2015 e 2018, për shkak të jehonës publike e mediatike që patën, mbështetur edhe nga fjalimet e tij nxitëse. Të gjitha ligjëratat e tij si shërbyes liturgjie, ishin të ngarkuara dhe dita e Shën Vidit ishte rasti i përshtatshëm për t’i folur masës së pavetëdijshme për kombin dhe fenë serbe. Serbia qiellore, Mallkimi i Llazarit, Beteja e Kosovës, si dhe mitet tjera në Vidovdan shkojnë “si hallva”! Në Vidovdanin e 2018-tës, si mysafir në cilësinë e shërbyesit të liturgjisë së shenjtë, Amfilohije përdori predikimin e rregullt për të mbajtur edhe një leksion të shkurtër anatomie të trupit të Llazar Hrebelanoviqit. “Ta vësh në referendum kokën e Llazarit, mund ta bëjë vetëm dikush që nuk ka mend, nuk ka dituri, nuk ka njohuri, as mençuri, sepse Kosova është koka e Llazarit, kurse trupi i tij ndodhet në Ravanicë. Kjo pjesë tjetër e Serbisë është trupi i Llazarit”, – predikoi kështu shërbyesi i Zotit, Amfilohije. Mesazhi i tij anatomik i hutoi krejtësisht adhuruesit e relikeve të shenjta, pasi mbetjet e trupit të princ Llazarit ndodhen realisht në Ravanicë, në Komunën e Çuprisë në Serbi dhe atë bashkë me kokën. Edhe më shumë huton vazhdimi i predikimit të mitropolitit: “Të heqësh dorë nga koka e Lazarit, do të thotë të mbetesh pa kokë dhe të heqësh dorë nga vetja dhe nga qenësia jote”. Figura e zemrës, kokës, këmbës e gishtit, e përdorur në përshkrimet mitologjike kristiane, është shumë e shprehur në shërbesa dhe nuk befason.

Amfilohije Radoviq në librin e tij të botuar në vitin 2010 dhe e ribotuar disa herë më pastaj me titull: “Kosova është koka e Llazarit”, nxjerr e shtrembëron gjithçka në emër të metaforës bindëse për mitin e Kosovës. Ky libër është shkruar edhe si përpunim i lirë i këngës kishtare e popullore. 415 faqe që në emër të ortodoksisë krishtere serbe nxjerrin vrer ndaj secilit identitet tjetër veç “serbit qiellor”, janë në ciklin e fantazive të njohura të historiografisë serbe. Në njërën nga këngët origjinale popullore serbe “Jeèam žela kosovka devojka“ (Vajza kosovare korr elbin), figura është te vajza, e cila elbin e korrur e ruan për kuajt, në të cilët shpreson ajo, do të vijnë së bashku me dasmorët e saj dhe Vajza kosovare i thotë elbit: “Kuajt e dasmës kanë për të të ngrënë!”. Amfilohije e ndryshon këtë, në mënyrë që në këngën e tij, vajza kosovare të mos del se është duke pritur dasmorë me kuaj, por xhandarët, më saktë konjanikët serbë, për kuajt e të cilëve ajo e ruan elbin që e ka korrur me mund: “Kuajt e kalorësve kanë për të të ngrënë, kuajt të zi të ushtrisë së shquar serbe”.

Tani, vajza që Amfilohije e ka zgjuar në vetëdijen kombëtare dhe e ka larguar nga dëshira “banale” për martesë, do të ndodhë “kad se vojska na Kosovo vrati” (Kur ushtria të kthehet në Kosovë). Për më tepër, ajo e sheh qartë se si do të lëviz ushtria serbe përmes Kosovës. Nuk dëshiron të anashkalojë asnjë vend të lavdishëm të historisë serbe, kështu që “do të vijë para kishës së Samadrexhës, do t’u jap ujë kuajve në Sitnicë, do të kalojë pranë Gazimestanit dhe do të mbërrijë tek i famshmi Deçan, te larva perandorake e Graçanicës, pastaj te e shenjta Krasnicë e Pejës dhe te qyteti perandorak i Prizrenit” (pred crkvu Samodrežu doðe/napoji konje na Sitnici/projezdi pro Gazimestana/i dojezdi do slavnih Deèana/i do carske larve Graèanice /i do Peæke presvete Krasnice/i Prizrena grada carevoga).

Dhe Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, për shtrembëruesin e tekstit të një kënge popullore dashurie, në të cilin pritja e dasmorëve është kthyer në pritje të ushtrisë, nuk mund të kuptohet ndryshe përveçse si thirrje kundër paqes, kur mitropolitit serb Amfilohije i ndan Urdhrin më të lartë shtetëror të Malit të Zi. Ndërsa, kur ata që e shkruajnë atë varg të Amfilohijes në murin pranë fushës së lojërave për fëmijë, e dinë plotësisht se veprojnë në përputhje me raison d’être e politikave nacionaliste, pa e qarë kokën për gënjeshtrat që kullojnë në historinë e tyre!/ Gazeta Panorama


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina