Kryqi i Kuq: Spitalet pa energji elektrike në Gaza rrezikojnë të kthehen në morgje

Kryqi i Kuq: Spitalet pa energji elektrike në Gaza rrezikojnë të kthehen në morgje

“Ndërsa Gaza mbetet pa energji, spitalet mbesin pa energji, duke vënë në rrezik të porsalindurit në inkubatorë dhe pacientët e moshuar me oksigjen, po ashtu pamundësohet dializa e veshkave dhe rrezet X nuk mund të merren”

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) ka paralajmëruar se spitalet rrezikojnë të kthehen në morgje pa energji elektrike në Gazën e bllokuar, transmeton Anadolu.

“Ndërsa Gaza mbetet pa energji, spitalet mbesin pa energji, duke vënë në rrezik të porsalindurit në inkubatorë dhe pacientët e moshuar me oksigjen, po ashtu pamundësohet dializa e veshkave dhe rrezet X nuk mund të merren. Pa energji elektrike, spitalet rrezikojnë të kthehen në morgje”, tha në një deklaratë Fabrizio Carboni, drejtori rajonal për Lindjen e Afërt dhe të Mesme për KNKK-në.

Duke theksuar se familjet në Gaza tashmë kanë probleme për qasje në ujë të pastër, Carboni tha se, “Asnjë prind nuk dëshiron të detyrohet t’i japë ujë të pistë një fëmije të etur”.

Për vuajtjet që po kalojnë familjet izraelite, ai tha se “në të njëjtën kohë familjet izraelite janë të shqetësuara për të dashurit e tyre që po mbahen peng”.

Ai deklaroi se marrja e pengjeve është e ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të kujtdo që mbahet.

“Mjerimi njerëzor i shkaktuar nga ky përshkallëzim është i neveritshëm dhe unë u bëj thirrje palëve të reduktojnë vuajtjet e civilëve”, tha drejtori rajonal.

Përveç kësaj, Carboni tha se KNKK tani është në kontakt me Hamasin dhe zyrtarët izraelitë dhe komiteti është “i gatshëm të kryejë vizita humanitare, të lehtësojë komunikimin midis pengjeve dhe anëtarëve të familjesve dhe të lehtësojë ndonjë lirim eventual”.

Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite kanë nisur fushatë të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës në përgjigje të një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm në shumë fronte, përfshirë breshëri lëshimesh të raketave dhe infiltrimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit, për të cilin Hamasi tha se ishte në hakmarrje për sulmin e Al-Aksasë në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Në përgjigje të veprimeve të Hamasit, ushtria izraelite nisi operacion kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës. Përgjigjja e Izraelit është zgjeruar në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një rrethim izraelit që nga viti 2007.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova