Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi të martën se përdorimi i forcës ushtarake kundër këtij territori arktik është pak i mundshëm, por nuk mund të përjashtohet.
Në një konferencë për media ai tha se, megjithëse mendon se përdorimi i forcës ushtarake nuk është i mundshëm, është e rëndësishme të jesh i përgatitur.
“Nuk është e mundshme që të ketë përdorim të forcës ushtarake, por kjo ende nuk është përjashtuar. Ky lider nga ana tjetër e ka bërë shumë të qartë se kjo nuk përjashtohet. Prandaj, sigurisht, duhet të jemi të përgatitur për gjithçka. Por duhet ta theksojmë se Grenlanda është pjesë e aleancës perëndimore, e NATO-s, dhe nëse ndodh përshkallëzim i mëtejshëm, kjo do të ketë pasoja edhe për gjithë botën e jashtme”, tha Nielsen.
Ai theksoi se dialogu mbetet ende i domosdoshëm.
“Sigurisht, ne e kemi pasqyrën dhe kemi parë çfarë po ndodh, si dhe gjëra të ndryshme që thuhen në rrjetet sociale. Kjo nuk është e sjellshme, por ajo që përpiqemi të bëjmë nga ana e Grenlandës është që të mos i përdorim rrjetet sociale, por të zhvillojmë dialog përmes kanaleve të duhura, dhe për këtë arsye është themeluar ky grup pune. Pikërisht aty, në kanalet e duhura, duhet të vazhdojmë punën”, porositi ai.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të martën se nuk ka kthim prapa nga qëllimi i tij për të kontrolluar Grenlandën, duke refuzuar të përjashtojë mundësinë e marrjes së ishullit arktik me forcë.
Ambicia e Trumpit për t’ia marrë sovranitetin mbi Grenlandën Danimarkës, një vend anëtar i NATO-s, ka kërcënuar të tronditë aleancën që për dekada ka qenë themeli i sigurisë së Perëndimit.











