Kryeministri francez Lecornu jep dorëheqje mes kritikave në rritje për kabinetin e ri

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron pranoi dorëheqjen e kryeministrit Sebastien Lecornu

Kryeministri francez, Sebastien Lecornu i paraqiti dorëheqjen presidentit Emmanuel Macron sot mes kritikave në rritje për kabinetin e shpallur së fundmi, transmeton Anadolu.

Macron pranoi dorëheqjen e Lecornu-t, raportoi transmetuesi BFM TV, duke cituar Pallatin Elysee.

Dorëheqja e Lecornu-t erdhi menjëherë pasi ai zbuloi një qeveri të re me kryesisht të njëjtat emra si ajo që u rrëzua më 8 shtator. Kabineti i tij ka filluar menjëherë të marrë kritika nga partitë e opozitës.

“Zgjedhja për ta mbajtur këtë qeveri të pandryshuar, të spërkatur me njeriun që falimentoi Francën, është patetike”, tha udhëheqësja e Tubimit Kombëtar të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen në kompaninë amerikane të mediave sociale X.

Udhëheqësja e të Gjelbërve, Marine Tondelier tha se “përbuzja e makronistëve për demokracinë arrin një nivel të ri”, duke kritikuar më tej kthimin e Bruno Le Maire-s në qeveri.

Udhëheqësi i grupit socialist, Boris Vallaud tha se “kokëfortësia e makronistëve e zhyti vendin pak më thellë në kaos çdo ditë”.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm Bruno Retailleau tha se po mblidhte një komitet strategjik të republikanëve të hënën pas “situatës politike të krijuar” me njoftimin e ri.

Në kabinetin e ri të Lecornu-s, Roland Lescure, një anëtar i partisë së Macronit dhe ish-ministër i Industrisë, zëvendësoi Eric Lombardon si ministër të Financave.

Negociatat për buxhetin kanë qenë burim i madh tensioni në politikën franceze.

Dështimi për të arritur marrëveshje mbi buxhetin e vitit 2025 vitin e kaluar çoi në rrëzimin e qeverisë së Michel Barnierit në dhjetor, pasi partitë e krahut të majtë dhe të ekstremit të djathtë u bashkuan pas një mocioni mosbesimi.

Kategoritë
BotaLajme