Kriza në kufirin mes Rusisë dhe Finlandës mori një dimension të ri pasi autoritetet finlandeze njoftuan se do të mbyllin pothuajse të gjitha pikat kufitare me Rusinë, të cilat përdoren për transferimin e emigrantëve.
Gjegjësisht, pas mbledhjes së kabinetit, zëvendësministri i Drejtësisë i Finlandës i dha dritën jeshile projektvendimit të ri të MPB-së për ashpërsimin e masave në vendkalimet malore në pjesën lindore të Finlandës.
“Qeveria propozon mbylljen e të gjitha pikave kufitare në kufirin lindor, përveç njërës, pikës më veriore në Finlandë, e cila është e hapur çdo ditë për katër orë”, shkruan Helsingin Sanomat.
Për vendimin ka folur edhe kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo.
“Detyra jonë është t’i mbajmë të gjithë finlandezët të sigurt. Kufizimet e reja bazohen në ligjin e rojeve kufitare. Qëllimi kryesor është të garantojmë rendin dhe paqen publike dhe sigurinë kombëtare. Këto janë masa shumë të guximshme dhe të jashtëzakonshme. Qëllimi është çrrënjosja e këtij problemi ”, tha kryeministri..
Ministrja e Brendshme finlandeze Mari Rantanen tha se vendi duhet të përgatitet për faktin se ardhja e azilkërkuesve në kufi do të vazhdojë dhe intensifikohet.
Shefi i Departamentit të Rojës Kufitare, Markku Hassinen, ka thënë se në lindje të vendit vazhdon cenimi i rëndë i sigurisë kufitare.
“Migracioni i organizuar, i paligjshëm vazhdoi dhe u përhap në pikat kufitare në veri. Prandaj, shërbimi kufitar dhe autoritetet e tjera të sigurisë vlerësuan situatën dhe i dërguan një vendim qeverisë për mbylljen e kufirit,” tha Hassinen.
Kujtojmë se situata në kufirin mes Finlandës dhe Rusisë u përshkallëzua të premten e javës së kaluar kur më shumë se 200 emigrantë mbërritën nga drejtimi i Rusisë në pikën kufitare me Finlandën. Emigrantët përdorën skuter dhe biçikleta për transportin deri në kufi, dhe autoritetet finlandeze thanë se udhëtimi i tyre ishte organizuar nga Federata Ruse, e cila synon të destabilizojë zonat kufitare me Finlandën.

