Kompania sllovene “Cetis” është shpërblyer sërish me tender nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Para një muaji, kjo kompani kishte cënuar besimin në procesin zgjedhor, me një gabim teknik që e kishte pranuar edhe vetë, lidhur me fletëvotimet në Mitrovicë, shkruan Reporteri.net.
Tenderi në vlerë prej 275 mijë e 742 euro i është dhënë kësaj kompanie përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.
Nënshkrimi i kontratës ka qenë i planifikuar për dje.
Ky grup i operatorëve ekonomikë i kishte shtypur edhe fletëvotimet për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe zgjedhjet lokale që u mbajtën më 12 tetor dhe balotazh. Vlera e kontratës së parë ishte 279 mijë 332 euro. E asaj për zgjedhjet lokale ishte 489 mijë e 362 euro.
Pikërisht për fletëvotimet e shtypura në balotazh, ishin ngritur dyshime për parregullësi. Shqetësimet ishin ngritur gjatë procesit të numërimit të votave në Mitrovicë.
Pas reagimeve të shumta, kompania e kishte pranuar gabimin teknik gjatë printimit të fletëvotimeve në Mitrovicë, teksa kishte mohuar çdo mundësi manipulimi.
Kompania përshkruan procesin e avancuar të printimit, duke theksuar se çdo deng prej 50 fletëvotimesh pajiset me kod QR dhe se çdo fletëvotim përmban si numrin serik, ashtu edhe numrin e qendrës së votimit.
Sipas hetimit të brendshëm, gabimi ka ndodhur vetëm në njërën nga katër kokat e printerit me ngjyrë, e cila ishte përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit. C
“Hetimi ynë i brendshëm zbuloi se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit. Fatkeqësisht, ky gabim nuk mund të zbulohet gjatë printimit sepse i gjithë procesi i kontrollit bazohet në monitorimin e numrit serik. Nga një perspektivë teknike, kjo do të thotë që koka/pllaka e printimit, përgjegjëse për numrin e qendrës së votimit, ka pasur një keqfunksionim, gjë që nuk është zbuluar gjatë prodhimit”, thuhej në reagimin e kompanisë.

Kompania kishte përgjegjësi të plotë për incidentin, duke theksuar se një gabim i tillë është “pothuajse i pamundur” të ndodhë në rrethana normale dhe se fletët e votimit përmbajnë elemente sigurie që nuk mund të falsifikohen.
Për kompaninë e kontraktuar për shtypjen e fletëvotimeve për 28 dhjetor, ka pasur raportime se është e lidhur me Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn.
Berishaj kishte figuruar bashkë-aksionar në shoqërinë aksionare ‘Nacional’, të regjistruar në Shqipëri, bashkë me kompaninë CETIS d.o.o.
Shoqëria Aksionare ‘Nacional’, sipas të dhënave pranë Qendrës Kombëtare të Bizneseve në Shqipëri, ishte themeluar nga katër subjekte afariste dhe një person, ku në mesin e katër subjekteve figuron CETIS d.o.o, si dhe Martin Berishaj.
Martin Berisha, zyrtarisht zotëronte 10% të aksioneve të shoqërisë aksionare ‘Nacional’ në Shqipëri.











