“Aktualisht gratë përbëjnë 14,69 për qind të punonjësve të Policisë së Kosovës. Ndërsa në Ministrinë e Mbrojtjes, në Forcën e Sigurisë së Kosovës, gratë përbëjnë 9,75 për qind të punonjësve”, theksoi Kurti
Në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë është mbajtur konferenca e dytë vjetore me temë “Nuk ka paqe pa gra”, raporton Anadolu.
Në këtë konferencë, të organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës në bashkëpunim me organizatën “Women’s Federation for World Peace International”, morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, ambasadorë e diplomatë të huaj, si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa u diskutua mbi atë se çfarë po sjellin gratë në proceset e paqes, parandalimin e konflikteve dhe sigurinë njerëzore në Ballkan.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo konferencë nuk mund të ketë pasur titull më të qëlluar, sepse pikërisht paqja vjen pas çlirimit dhe pikërisht gratë e dinë më së miri rëndësinë e çlirimit nga dominimi, nga shtypja, nga shfrytëzimi.
“Në këtë rrugëtim të popullit tonë, gratë dhe vajzat po luajnë rol gjithnjë e më të madh. Aktualisht gratë përbëjnë 14,69 për qind të punonjësve të Policisë së Kosovës, duke përfshirë 1.038 në uniformë dhe 286 staf civil. Ndërsa në Ministrinë e Mbrojtjes, në Forcën e Sigurisë së Kosovës, gratë përbëjnë 9,75 për qind të punonjësve, me 401 ushtarake dhe punonjëse civile gjithandej”, theksoi Kurti.
Ai theksoi se përdorimi i konceptit të sigurisë njerëzore në titullin e konferencës dhe në temat e paneleve nënkuptojnë se pjesëmarrja e grave dhe vajzave në siguri nuk kufizohet vetëm në përfshirjen e tyre në institucionet e sigurisë në kuptimin e ngushtë të fjalës, ngase sipas kryeministrit siguria nuk vjen vetëm nga institucionet e sigurisë, por “kemi nevojë për siguri në shoqëri, e cila bëhet fakt i mirëqenë që e jetojmë dhe përjetojmë të gjithë”.
Presidentja e Federatës Ndërkombëtare të Grave për Paqen Botërore, Moriko Hori, në fjalën e saj tha se gratë kanë qenë agjente të paqes duke promovuar dialogun dhe pajtimin.
“Është me rëndësi sot që ta njohim rëndësinë që e kanë gratë për sigurinë dhe paqen në rajon. Gratë kanë qenë agjente të paqes dhe kanë promovuar dialogun dhe pajtimin. Ato kanë qenë shumë të rëndësishme në ndërtimin e urave dhe promovimin dhe mirëkuptimin në mes të vendeve në raste të armiqësive”, theksoi Hori.
