Çështja e liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës pritet që të miratohet në seancë plenare në Parlamentin Evropian në prill të këtij viti
Komisioni i Parlamentit Evropian për liritë civile, drejtësi dhe punë të brendshme ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, transmeton Anadolu.
Siç njofton Bashkimi Evropian, ky vendim ka marrë shumicën e nevojshme në këtë komision parlamentar me 47 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenime.
Çështja e liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës pritet që të miratohet në seancë plenare në Parlamentin Evropian në prill të këtij viti.
Ndërsa, pas këtij votimi, vendimi do të nënshkruhet dhe botohet në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian që është hapi i fundit para se një gjë e tillë të hyjë në fuqi.
Sipas marrëveshjes së përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së, ky vendim do të hyjë në fuqi në kohën kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i regjistrimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS), apo jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
Pasi afati për hyrje në fuqi të ETIAS-is është shtyrë për vitin 2024, 1 janari 2024 pritet të jetë edhe dita prej së cilës qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen për periudhë qëndrimi prej 90 ditëve në çdo periudhë 180 ditore.
Parlamenti Evropian ka mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën që nga viti 2016, pasi Komisioni deklaroi se Kosova përmbush kriteret e udhërrëfyesit të saj për liberalizimin e vizave. Kosova është aktualisht e vetmja pjesë e rajonit të Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon udhëtime pa viza për qëndrim në zonën Schengen.













