Kosova dërgon ndihmë humanitare për Gazën, anija niset nga Turqia

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se anija e ngarkuar me ndihmën humanitare të Qeverisë së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës, është nisur nga porti i Mersinit në Turqi.
Sipas Kurtit, dërgesa humanitare ka vlerë prej 500 mijë euro dhe përfshin tenda, pako ushqimore, batanije si dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë për banorët e Gazës që po përballen me kushte të rënda jetese.
Ai theksoi se vendimi për dërgimin e kësaj ndihme ishte marrë që në muajin janar, por realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, të arritur nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Kryeministri në detyrë vlerësoi se kjo ndihmë përfaqëson angazhimin e Republikës së Kosovës në kuadër të solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin për të mbështetur popullatën civile në Gaza. Ai shtoi se Kosova është qeveria e parë që ka arritur të ofrojë një ndihmë të tillë për banorët e Gazës.
Në fund, Kurti shprehu mirënjohjen e tij për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për bashkëpunimin dhe ndihmën e ofruar në realizimin e këtij operacioni humanitar.
Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi