



Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA raportoi se një raketë izraelite goditi një shkollë fillore për vajza në qytetin Minab, në provincën Hormozgan, në jug të Iranit.
Sipas informacioneve të para nga terreni, objektivi i sulmit ishte shkolla fillore “Shajereh Taybeh”.
Në momentin e goditjes, në ndërrimin e mëngjesit mësimin po e ndiqnin 170 nxënëse. Deri tani është konfirmuar vdekja e pesë nxënëseve, ndërsa raportet zyrtare ende nuk japin një numër të saktë të të plagosurve. Burime iraniane pretendojnë se shkolla ishte objektiv i drejtpërdrejtë i sulmit. Ekipet e shpëtimit ndodhen në terren dhe po zhvillohen operacione dramatike për largimin e rrënojave dhe dhënien e ndihmës për të mbijetuarit.
Ndërkohë që nga Irani publikohen pamje të objektit civil të shkatërruar, Izraeli vazhdon të analizojë rezultatet e operacionit të tij ushtarak.
Një zyrtar ushtarak izraelit, i cili foli në kushte anonimiteti për New York Times, në përputhje me rregullat ushtarake, deklaroi se ushtria izraelite po vlerëson aktualisht suksesin e goditjeve të para. Sipas tij, janë goditur një sërë objektivash, përfshirë edhe lokacione ku ndodheshin persona që konsiderohen “personel kyç i makinerisë luftarake iraniane”.
Zyrtari refuzoi të japë detaje mbi identitetin e këtyre objektivave apo vendndodhjet konkrete. Ai gjithashtu konfirmoi se Irani, si kundërpërgjigje ndaj këtyre sulmeve, deri tani ka lëshuar dhjetëra raketa balistike drejt territorit të Izraelit, duke e futur konfliktin në një fazë të re, jashtëzakonisht të rrezikshme.