Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim me Policinë e Kosovës, më 29.06.2021, ka ndaluar Arben Bilallin, drejtor i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).
Ai dyshohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Bilalli dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej tetë mijë euro, me premtimin se do të ndikojë në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së.
I njëjti ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion se ka mbi 93 mijë euro nëpër banka, 67 mijë prej tyre në Belgjikë në emër të bashkëshortes./IndeksOnline/