Drejtoria e Përgjithshme e Hetimeve Penale të Katarit njoftoi të hënën se janë arrestuar 313 persona të kombësive të ndryshme për shkak të incizimit dhe shpërndarjes së pamjeve të paautorizuara, si dhe publikimit të dezinformatave në rrjetet sociale.
Arrestimet u kryen nga Drejtoria për Parandalimin e Krimit Ekonomik dhe Krimit Kibernetik, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar keqpërdorimin e rrjeteve sociale. Autoritetet kompetente njoftuan se ndaj personave të përfshirë janë ndërmarrë masat e nevojshme ligjore dhe administrative.
Ministria e Punëve të Brendshme e Katarit theksoi rëndësinë e shmangies së incizimit dhe publikimit të videove, si dhe të përhapjes së çdo lloj thashethemi lidhur me zhvillimet aktuale në vend. Qytetarëve u është bërë thirrje që informacionet t’i marrin vetëm nga burime të aprovuara dhe zyrtare.
Ministria përkatëse gjithashtu theksoi se institucionet kompetente “nuk do të hezitojnë të ndërmarrin hapat e nevojshëm ligjorë kundër kujtdo që kapet duke kryer shkelje të tilla”.


















