Kaos në Izrael: Turmë hebrenjsh ultra-ortodoksë rrethuan ushtaret, policia i shpëtoi me vështirësi nga linçimi

Përleshje të ashpra shpërthyen të dielën në qytetin izraelit Bnei Brak, i njohur për popullsinë me shumicë ultra-ortodokse, pasi policia u detyrua të ndërhynte për të shpëtuar dy pjesëtare të ushtrisë izraelite (IDF) nga sulmi i turmës.

Incidenti ndodhi pasi në qytet u përhapën thashetheme se ushtaret kishin ardhur për të dorëzuar ftesa rekrutimi. Sipas raportit të policisë, dy gratë u rrethuan, u ndoqën dhe u keqtrajtuan verbalisht nga një numër i madh burrash të mbledhur.

Forcat e policisë arritën t’i nxirrnin ushtaret në siguri, por situata shpejt eskaloi në trazira të dhunshme.

Demonstruesit u përplasën me policinë, e cila reagoi me përdorimin e bombave shokuese për të shpërndarë turmën. Në kaosin që pasoi, protestuesit përmbysën një automjet policie dhe i vunë flakën një motoçiklete policore.

Në njoftimin zyrtar, policia bëri të ditur se 23 persona u arrestuan për pjesëmarrje në trazira. Gjithashtu, tre policë kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve, ndërsa disa automjete policore u dëmtuan.

Ky incident lidhet drejtpërdrejt me ndarjet e thella në shoqërinë izraelite rreth detyrimit ushtarak. Edhe pse shërbimi ushtarak në Izrael është i detyrueshëm, hebrenjtë ultra-ortodoksë (Haredi) për dekada kanë qenë kryesisht të përjashtuar për t’iu përkushtuar studimeve fetare.

Megjithatë, presioni ndaj këtij komuniteti po rritet. Ndërsa partnerët ultra-ortodoksë në koalicionin e kryeministrit Benjamin Netanyahu kërkojnë një ligj që do ta legalizonte përgjithmonë këtë përjashtim, partnerë të tjerë të djathtë dhe opozita këmbëngulin që edhe burrat ultra-ortodoksë duhet të “ndajnë barrën”.

Tensionet janë shtuar edhe më shumë pas dy vitesh luftimesh intensive në Gaza dhe Liban, gjatë të cilave kanë humbur jetën pothuajse 1.000 ushtarë izraelitë, duke nxitur kërkesa gjithnjë e më të forta për një shpërndarje të barabartë të detyrimit ushtarak.

Kategoritë
BotaLajme