Kanada, familjet padisin OpenAI-n pas pretendimeve se ChatGPT ndihmoi në planifikimin e masakrës në shkollë

Paditë e ngritura nga familjet e shtatë viktimave pretendojnë se qëllimet e dhunshme të sulmuesit, i identifikuar si 18-vjeçari Jesse Van Rootselaar, ishin të njohura për kompaninë OpenAI

Familjet e shtatë viktimave të një sulmi vdekjeprurës në një shkollë në provincën British Columbia të Kanadasë kanë ngritur padi kundër kompanisë OpenAI dhe shefit ekzekutiv të saj, Sam Altman, duke pretenduar se aplikacioni ChatGPT ndihmoi sulmuesin të planifikojë masakrën e shkurtit në Shkollën e Mesme Tumbler Ridge, transmeton Anadolu.

Paditë pretendojnë se qëllimet e dhunshme të sulmuesit, i identifikuar si 18-vjeçari Jesse Van Rootselaar, ishin të njohura për kompaninë OpenAI.

Sipas padive, punonjësit e kompanisë kishin sinjalizuar llogarinë e tij tetë muaj para sulmit, duke e vlerësuar si një kërcënim të besueshëm për dhunë me armë dhe kishin kërkuar që drejtuesit e lartë të njoftonin autoritetet kanadeze. Megjithatë, thuhet në dokumente, kompania zgjodhi të mos njoftonte policinë dhe në vend të kësaj e çaktivizoi llogarinë.

Van Rootselaar më pas arriti të krijojë një llogari të re duke ndjekur udhëzimet e publikuara nga OpenAI për përdoruesit e çaktivizuar dhe vazhdoi të përdorte ChatGPT-në për të planifikuar sulmin.

Më 10 shkurt, ai vrau nënën e tij dhe vëllain 11-vjeçar në shtëpi, më pas shkoi në shkollë ku hapi zjarr, duke vrarë pesë nxënës dhe një ndihmës mësues, si dhe duke plagosur 27 persona, para se të vriste veten. Viktimat përfshijnë fëmijë 12 dhe 13 vjeç.

Familjet akuzojnë kompaninë OpenAI dhe Altman-in për neglizhencë, ndihmë dhe nxitje të një sulmi masiv, vdekje të padrejtë dhe përgjegjësi.

Sipas një raporti në The Guardian, avokati kryesor Jay Edelson tha: “Fakti që Sam dhe drejtuesit anashkaluan ekipin e sigurisë dhe më pas fëmijët vdiqën, të rriturit vdiqën, i gjithë qyteti u shkatërrua, është shumë afër përkufizimit të së keqes për mua”.

Më 23 prill, Altman dërgoi një letër komunitetit të shkollës Tumbler Ridge duke kërkuar falje që nuk njoftoi policinë kanadeze.

“Edhe pse e di që fjalët nuk mjaftojnë kurrë, besoj se një ndjesë është e nevojshme”, shkroi ai.

Në një postim në rrjetin social amerikan X, kryeministri i provincës British Columbia, David Eby, e quajti faljen “thellësisht të pamjaftueshme për shkatërrimin e shkaktuar ndaj familjeve të shkollës Tumbler Ridge”.

Dje, OpenAI tha se ka “zero tolerancë” për përdorimin e mjeteve të saj për dhunë dhe se tashmë ka forcuar masat e sigurisë.

“Ne punojmë për ta trajnuar ChatGPT-në që të njohë dallimin dhe të vendosë kufij kur një bisedë fillon të shkojë drejt kërcënimeve, dëmtimit të mundshëm të të tjerëve ose planifikimit në botën reale”, tha OpenAI.

Kategoritë
BotaLajme