Kadirov pas fjalëve të Putinit i kërcënoi Europës: “Jemi gati për luftë, presim urdhrin dhe gjithçka do të mbarojë shpejt”

Lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadirov, sërish e ka ashpërsuar retorikën ndaj Perëndimit, duke deklaruar se forcat e tij janë të gatshme për luftë me Europën nëse këtë e urdhëron presidenti rus Vladimir Putin.

Në një mesazh të publikuar në Telegram, Kadirov pa asnjë rezervë mbështeti deklaratat e fundit të Putinit për një konflikt të mundshëm.

“Nuk do të hezitojmë as pak, Vladimir Vladimiroviç. Po presim urdhrin. Gjithçka do të mbarojë shumë shpejt dhe sigurisht jo në favor të atyre që vendosën të nisin luftë kundër Rusisë. Kam një pyetje, Vladimir Vladimiroviç: nëse e gjitha kjo fillon, mos u hidhëroni ndaj nesh nëse ata menjëherë vendosin të kërkojnë falje vullnetarisht”, shkroi Kadirov.

Reagimi i tij pasoi deklaratat e Putinit në një forum investimesh në Moskë, ku ai tha se Rusia “nuk po përgatitet të luftojë me Europën”, por shtoi se vendi “është gati menjëherë” nëse shtetet europiane nisin konflikt. Putin përsëriti se Europa “duhet të jetë e vetëdijshme për pasojat” dhe pretendoi se “Perëndimi po i kërcënon Rusisë”.

NATO reagoi shpejt ndaj mesazheve të Putinit. Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte deklaroi se aleanca është e gatshme dhe e vendosur të mbrojë çdo anëtare të saj, duke theksuar se NATO nuk do të lejojë asnjë sulm ndaj territorit të saj. Edhe nga disa kryeqytete europiane kanë ardhur reagime, ku refuzohen pretendimet se Europa planifikon ndonjë konflikt me Rusinë, duke i cilësuar deklaratat e Putinit si plotësisht të pabazuara.

Ramzan Kadirov, i cili udhëheq Çeçeninë që nga viti 2007, konsiderohet si një nga aleatët më besnikë të Putinit. Ai erdhi në pushtet pas atentatit ndaj babait të tij Ahmat Kadirov, ish-president i Çeçenisë.

Gjatë viteve, ai ka ndërtuar një aparat të fuqishëm sigurie dhe njësi speciale të njohura si “kadirovcët”, të cilat janë drejtpërdrejt nën kontrollin e tij. Luftëtarët e tij kanë marrë pjesë në shumë operacione, përfshirë dërgimin e mijëra trupave në luftën në Ukrainë.

Kadirov njihet për retorikën e tij agresive dhe luftarake, me të cilën thekson rregullisht besnikërinë e plotë ndaj Moskës. Mesazhi i tij i fundit edhe një herë nënvizon rolin që ai luan në politikën ruse – si zëri i linjës më të ashpër të Kremlinit, veçanërisht në momentet kur marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit po tensionohen edhe më tej.

Kategoritë
BotaLajme