Ka nisur kundërpërgjigjja e Iranit: Të paktën 30 raketa drejt Izraelit, IDF paralajmëron se mbrojtja nuk është hermetike

Pas sulmeve të gjera izraelito-amerikane të mëngjesit ndaj objekteve kyçe ushtarake, të inteligjencës dhe bërthamore iraniane, ka pasuar kundërpërgjigjja e paralajmëruar e Teheranit. Sipas informacioneve të para, Irani ka lëshuar valën e parë të raketave balistike drejt territorit të Izraelit, ndërsa raportimet flasin për të paktën 30 raketa të lëshuara.

Në të gjithë veriun e Izraelit janë aktivizuar sirenat për rrezik ajror. Paralajmërime për sulme raketore dhe shpërthime janë dhënë në rajonet e veriut të Rrafshnaltës së Golanit, përgjatë vijës së ndarjes, në Galile, në Karmel dhe në zonën e Gjirit.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) konfirmuan se kanë identifikuar raketa të lëshuara nga Irani që po drejtohen drejt Izraelit, çka ka aktivizuar alarmet në shumë pjesë të vendit.

“Publiku lutet të ndjekë udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm. Në këtë moment, forcat ajrore izraelite po veprojnë për të interceptuar dhe goditur kërcënimet kudo që është e nevojshme për t’i neutralizuar ato”, thuhet në njoftimin urgjent të ushtrisë izraelite.

Nga IDF u dha edhe një paralajmërim dramatik për qytetarët, duke theksuar seriozitetin e situatës: “Mbrojtja jonë nuk është hermetike, prandaj është me rëndësi jetike që publiku të respektojë rreptësisht udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm.”

Ky sulm me raketa përfaqëson një kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë dhe të shpejtë ndaj goditjeve të paprecedenta që më herët gjatë ditës u kryen nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara thellë brenda territorit iranian.

Kujtojmë se dhjetëra sulme ajrore u realizuan në mbarë Iranin me pjesëmarrjen e avionëve luftarakë që u ngritën nga baza në të gjithë Lindjen e Mesme dhe nga aeroplanmbajtëset amerikane.

Kategoritë
BotaLajme