Ka ndërruar jetë Kevin Curtis, njeriu që ia dorëzoi Slobodan Milosheviçin Tribunalit të Hagës

Në Kroaci, javën e kaluar ka vdekur ish-hetuesi i Hagës, Kevin Curtis, i njohur në publik si njeriu që e dërgoi Slobodan Milosheviçin në Hagë.

Miloševići u dërgua në Tribunalin e Hagës më 28 qershor 2001, dhe Curtis e mori në Beograd. Ai ishte përgjegjës që Milosheviçi të transportohej i sigurt deri në qelinë e tij në Scheveningen.

Curtis e futi Milosheviçin në avion dhe e shoqëroi në rrugën drejt Hagës.

“Milosheviçi erdhi dhe dukej krejtësisht i befasuar, sikur nuk besonte çfarë po i ndodhte. Më tha se unë nuk kisha juridiksion mbi të, e unë i thashë se do ta shohim këtë në Hagë. Nuk donte të fliste anglisht dhe çdo gjë duhej përkthyer. E kontrollova plotësisht, edhe zgavrën e gojës. Pyeti pse po e bëja këtë, meqë vinte nga burgu. I thashë: ‘tani jeni i burgosuri im dhe unë do t’ju kontrolloj’. Nuk i pëlqeu shumë kjo. Pastaj u ulëm në helikopter dhe të tre helikopterët u ngritën njëkohësisht”, kishte treguar Curtis më herët për HRT.

Curtis ka luajtur një rol kyç në proceset gjyqësore pas vitit 1995. Ai është i njohur edhe për arrestimin dhe dërgimin para drejtësisë të kriminelit të luftës dhe ish-kryetarit të Vukovarit, Slavko Dokmanović.

Curtis ditët e fundit i kaloi në Kvarner, ku ishte shpërngulur me bashkëshorten kroate pas përfundimit të karrierës.

Ky hetues britanik me përvojë iu bashkua Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) në vitin 1995. Detyra e tij e parë e madhe ishte hetimi i masakrës në Ovçarë.

Së bashku me kolegun e tij, detektivin çek Vladimir Dzuro, Curtis punoi me muaj të tërë në këtë rast. Gjurmët i çuan ata te Slavko Dokmanovići, ish-kryetari i Vukovarit, të cilin dëshmitarët e identifikuan si njërin nga njerëzit kyç në natën e krimit në Ovçarë.

Problemi ishte si të arrestohej, pasi Dokmanovići ndodhej në territorin e Serbisë.

“Qëllimi im ishte ta sharmoja”, thoshte asokohe Curtis.

Ekipi i tij përgatiti një operacion ku Curtis mori rolin e ndërmjetësit. Ai vendosi kontakt me Dokmanovićin dhe ndërtoi besim. Dokmanovići më vonë kaloi kufirin duke menduar se po shkonte në një takim, ku Curtis dhe ekipi i tij e arrestuan.

Kategoritë
BotaLajme