Izraeli po grumbullon tanke pranë Libanit, por frika nga Hezbollahu është e dukshme: “I kemi vlerësuar gabim”

Ushtria izraelite të martën vazhdoi të vendosë trupa pranë kufirit izraelito-libanez, në kulmin e përplasjeve me Hezbollahun në jug të Libanit.

Paralelisht me këtë proces, ushtria izraelite lëshoi një paralajmërim për evakuimin e periferive jugore të Bejrutit para sulmeve kundër Hezbollahit.

“Aktivitetet terroriste të Hezbollahit e detyrojnë IDF-në të veprojë me forcë kundër tyre. IDF nuk ka për qëllim t’ju dëmtojë. Për sigurinë tuaj duhet të evakuoni shtëpitë dhe të largoheni menjëherë deri në njoftimin e radhës”, tha zëdhënësi i ushtrisë, koloneli Avichay Adraee.

Nga ana tjetër, Hezbollahu njoftoi se në jug të Libanit i ka shkaktuar humbje të mëdha ushtrisë izraelite, duke pretenduar se në sulme janë shkatërruar shumë tanke dhe janë vrarë edhe një numër i konsiderueshëm ushtarësh.

Hezbollahu ka përdorur raketa të tipit “Fattah-110”, të cilat kanë një kokë luftarake shumë të rëndë dhe të fuqishme, të afta të arrijnë një rreze prej qindra kilometrash.

Ish-komandanti i mbrojtjes kundërajrore të Izraelit, Zvika Haimovich, i përshkroi këto raketa si shumë të rënda dhe shumë precize, duke theksuar se Hezbollahu disponon qindra të tilla.

Një zyrtar izraelit deklaroi për Kanalin 13 se ushtria izraelite e kishte vlerësuar gabim forcën e grupit libanez.

“Ne e kemi vlerësuar gabim fuqinë e Hezbollahit, nuk mendonim se do të përdornin këtë taktikë”, tha ai.

Hezbollahu nuk u ndal vetëm në pritë dhe përplasje direkte, por goditi edhe një stacion të komunikimit satelitor që i përket Departamentit të Mbrojtjes Kibernetike dhe Komunikimeve të ushtrisë izraelite, i cili është përshkruar si “zemra e sistemeve të komunikimit”.

Kategoritë
BotaLajme