Izraeli kalon në gjendje alarmi të lartë për një sulm të mundshëm të SHBA-së ndaj Iranit

Ndërsa vazhdojnë diskutimet nëse Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin një sulm ushtarak ndaj Iranit, është bërë e ditur se ushtria izraelite ndodhet në gjendje alarmi të lartë.

Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Effie Defrin, në një mesazh video deklaroi se po i ndjekin nga afër zhvillimet rajonale lidhur me një sulm të mundshëm amerikan ndaj Iranit.

“Jemi në gjendje alarmi të lartë. Sytë tanë janë të hapur në çdo drejtim dhe gishtat tanë janë më shumë se kurrë në këmbëz, për t’iu përgjigjur çdo ndryshimi që mund të ndodhë në realitetin operacional”, tha Defrin.

Ai shtoi gjithashtu se nuk është bërë asnjë ndryshim në udhëzimet e sigurisë për publikun nga Komanda e Frontit të Brendshëm, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm njoftimeve zyrtare të ushtrisë.

PRITJE PËR NJË SULM NË TË ARDHMEN E AFËRT

Mediat izraelite raportuan se, pas vlerësimeve se SHBA mund të nisë një sulm ndaj Iranit “në të ardhmen e afërt”, Komanda e Frontit të Brendshëm është udhëzuar të kalojë në alarm të lartë.

Televizioni Kanal 12 pretendoi se, në rast se SHBA fillon sulme ndaj Iranit, edhe Izraeli do t’i bashkohet operacioneve.

Zyrtarë amerikanë, duke folur për median izraelite, deklaruan se Presidenti Donald Trump është “shumë pranë” dhënies së urdhrit për një sulm në shkallë të gjerë ndaj Iranit, duke theksuar se afatet diplomatike po ngushtohen dhe opsionet ushtarake mbeten në tryezë.

Kategoritë
BotaLajme