Autoritetet izraelite kanë nisur gjykimin ndaj imamit të xhamisë Al-Aqsa, shehut Ekrimi Sabri, nën akuzën për “nxitje”, dhe seanca e parë u mbajt të martën.
Akuzat, të paraqitura në gusht të vitit 2024, lidhen me dy fjalime ngushëllimi që imami palestinez i ka mbajtur në vitin 2022, si dhe me shprehjen e dhimbjes pas vrasjes së ish-liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, në vitin 2024.
Mbrojtja e Sabrit thotë se çështja është pjesë e një modeli më të gjerë të përndjekjes politike, fetare dhe ideologjike që autoritetet izraelite kanë ushtruar ndaj tij gjatë viteve të fundit.
Khaled Zabarka, udhëheqësi i ekipit juridik të Sabrit, tha për Middle East Eye se rasti përfaqëson “një mishërim të përndjekjes raciste” të drejtuar kundër imamit.
Ai tha se ndjekja penale është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të heshtur udhëheqësit e rëndësishëm të komunitetit dhe figurat fetare që flasin vazhdimisht kundër okupimit izraelit.
“Sabri është një simbol i rëndësishëm. Ai flet qartë për të drejtën e padiskutueshme islame mbi xhaminë Al-Aqsa dhe vepron aktivisht në mbrojtje të çështjes palestineze në përgjithësi,” tha Zabarka.
Synimi ndaj tij, shtoi ai, është pjesë e përpjekjes për të “konstruktuar ndërgjegjen publike palestineze” duke heshtur zërat publikë.
“Përndjekja e predikuesve, imamëve dhe diskursit fetar është, sipas mendimit tim, pjesë e një plani të krijuar për t’i hapur rrugë një projekti të drejtuar kundër Al-Aqsa-s,” u shpreh ai.
Sabri, 86 vjeç, është ish-muftiu i madh i Jeruzalemit, kryetar i Këshillit të Lartë Islam dhe një nga imamët më të lartë të xhamisë Al-Aqsa.
Që nga fillimi i viteve 1970, ai mban hutbet e së premtes në Al-Aqsa, në Jerusalemin lindor të pushtuar, dhe është arrestuar disa herë nga forcat izraelite.
Gjykimi i tij po zhvillohet mes një intensifikimi të presionit izraelit ndaj palestinezëve në xhami.
Forcat izraelite po vendosin gjithnjë e më shumë kufizime ndaj qasjes së palestinezëve në Al-Aqsa, ndërsa lejojnë një numër gjithnjë e më të madh ultranacionalistësh izraelitë të hyjnë rregullisht në të.
Autoritetet izraelite gjithashtu kanë ndaluar hyrjen e dhjetëra personave, përfshirë shumë imamë, mes tyre edhe Sabri.
Në shumë raste, imamëve u është ndaluar hyrja në Al-Aqsa për shkak të hutbeve ku përmendet Gaza, sipas Zabarkës.
“Ata po ndalojnë madje edhe fjalën ‘Gaza’. Kjo është e paprecedentë. Është ndërhyrje e plotë në hutbet e së premtes në Al-Aqsa, një trend i ri që duhet të ngrejë shqetësim.” tha avokati.
Kontrolli izraelit mbi Jerusalemin lindor, përfshirë qytetin e vjetër ku ndodhet Al-Aqsa, shkel disa parime të së drejtës ndërkombëtare.
E drejta ndërkombëtare përcakton se një forcë pushtuese nuk ka sovranitet mbi territorin që mban nën pushtim dhe i ndalohet ta ndryshojë atë në mënyrë të përhershme.












