Izetbegović me Erdoganin: Me aktivitete propagandistike dhe lobuese po imponohet një pamje e shtrembëruar për Bosnjë e Hercegovinën

Kryetari i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegović, u takua sot në Stamboll me Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua situata aktuale politike në Bosnjë e Hercegovinë, me theks të veçantë mbi intensifikimin e aktiviteteve propagandistike dhe lobuese, përmes të cilave në disa qarqe ndërkombëtare po tentohet të imponohet një pamje e shtrembëruar për gjendjen në vend.

Izetbegović vuri në dukje përpjekjet që Bosnjë e Hercegovina të paraqitet në arenën ndërkombëtare përmes stereotipeve mbi radikalizmin dhe kërcënimet e sigurisë të lidhura me myslimanët, si dhe promovimin e tezave për “rrezikimin e të krishterëve” dhe “dominimin e myslimanëve”, çka, sipas tij, prodhon qëllimisht frikë dhe ushqen narrativa islamofobike.

“Në të njëjtën kohë, po tentohet të krijohet perceptimi se Bosnjë e Hercegovina është një shtet i paqëndrueshëm, se bashkëjetesa dhe barazia e popujve janë të pamundura dhe se ndarjet janë zgjidhja e vetme reale. U vlerësua se këto konstruksione nuk kanë bazë në realitet, por mund të gjejnë terren në qarqe të caktuara politike dhe ideologjike”, thuhet në deklaratë.

U theksua se bëhet fjalë për një përpjekje për zhvendosje të vëmendjes, me qëllim largimin e fokusit të opinionit ndërkombëtar nga problemet reale, siç janë sulmet e vazhdueshme ndaj rendit kushtetues të Bosnjë e Hercegovinës dhe politikat secesioniste që destabilizojnë rajonin.

“Duke marrë parasysh rrethanat e ndërlikuara gjeopolitike, u vlerësua se ndaj përpjekjeve për krijimin e narrativave të rreme duhet të përgjigjemi me të vërtetën, diplomaci aktive dhe forcimin e aleancave ndërkombëtare. Izetbegović kërkoi mbështetjen e Presidentit Erdoğan për të paraqitur një pamje objektive të marrëdhënieve në Bosnjë e Hercegovinë dhe për të parandaluar përhapjen e dezinformatave të dëmshme dhe të rrezikshme”, përfundon njoftimi.

Kategoritë
BotaLajme