Retorika antimuslimane e disa kongresmenëve republikanë këtë javë u përshkallëzua në hijen e luftës me Iranin. Disa ligjvënës, mes tyre edhe një që deklaroi se muslimanët nuk kanë vend në shoqërinë amerikane, shkaktuan reagime të ashpra nga demokratët, ndërsa reagimi i drejtuesve të Partisë Republikane kryesisht mungoi.
Ky lloj gjuhe fyese mes zyrtarëve republikanë prej muajsh është shfaqur në publik, shpesh duke dalë në plan të parë gjatë kritikave ndaj kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili është musliman.
Megjithatë, në kontekstin e luftës me Iranin – një vend me shumicë muslimane – si dhe pas sulmeve ndaj një sinagoge në Michigan dhe një kolegji në Virxhinia, toni këtë javë u bë edhe më i ashpër.
“Armiku është brenda dyerve tona”, shkroi të enjten senatori nga Alabama, Tommy Tuberville, duke komentuar një fotografi të Mamdanit teksa ishte ulur në dysheme gjatë iftarit në Këshillin Bashkiak të Nju Jorkut. Fotografia ishte vendosur pranë një imazhi të sulmeve të 11 shtatorit.
Disa orë më vonë, Tuberville e sqaroi më tej qëndrimin e tij, por pa kërkuar falje.
“Ta bëj të qartë: nuk ‘sugjerova’ që islamistët janë armiku. E thashë këtë hapur”, shkroi ai.
Retorika u ashpërsua edhe më shumë të premten, kur disa përfaqësues republikanë, duke reaguar ndaj sulmeve në Michigan dhe Virxhinia, bënë thirrje për ndalimin e plotë të imigracionit në Shtetet e Bashkuara. Disa prej tyre përmendën veçanërisht muslimanët.
Për shumë muslimanë, ky është një moment politik që kujton fillimin e viteve 2000, kur sulmet e 11 shtatorit dhe luftërat në Afganistan dhe Irak gjeneruan armiqësi ndaj komuniteteve muslimane në SHBA, shpesh të shoqëruara me diskriminim dhe dhunë raciste.
“Kur flasin anëtarët e Kongresit, nuk janë vetëm fjalë. Ato formojnë perceptimin e publikut. U japin legjitimitet paragjykimeve”, tha Iman Awad, drejtoreshë kombëtare për politika dhe avokim në organizatën amerikane muslimane Emgage Action.
Përfaqësuesi nga Tennessee, Andy Ogles, në një postim në rrjetet sociale deklaroi hapur se muslimanët nuk kanë vend në Shtetet e Bashkuara. Ai nuk u tërhoq as pas valës së kritikave, duke shkruar më pas se “letrat nuk e bëjnë dikë magjikisht amerikan” dhe se “muslimanët janë të paaftë për asimilim; të gjithë duhet të kthehen prapa”.
Kur u pyet për postimin e Ogles të martën, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, tha se kishte biseduar me anëtarët “për tonin tonë, mesazhin tonë dhe atë që themi”.
Ai shtoi se Ogles kishte përdorur “një gjuhë ndryshe nga ajo që do të përdorja unë”, por gjithashtu theksoi se beson se çështja që kanë ngritur këto deklarata është “serioze”.
“Në vend ka shumë energji dhe një ndjenjë të fortë publike se kërkesa për vendosjen e ligjit të sheriatit në Amerikë është një problem serioz. Kjo është ajo që e nxit gjithë këtë”, tha Johnson.
Sheriati është një kornizë fetare që udhëzon sjelljen morale dhe shpirtërore të shumë muslimanëve. Përdorimi i termit “ligji i sheriatit” nga zyrtarët në SHBA shpesh përdoret për të sugjeruar se muslimanët po përpiqen të imponojnë praktikat e tyre fetare në komunitetet amerikane.
Shumë republikanë si “provë” të sheriatit përmendin një komunitet të planifikuar pranë Dallasit që synon banorë muslimanë, megjithëse investitorët i kanë mohuar këto akuza dhe kanë deklaruar se janë në shënjestër pikërisht sepse janë muslimanë.
Meqenëse Johnson nuk i dënoi deklaratat e Ogles, as komentet e fundit të kongresmenit nga Florida, Randy Fine, i cili tha se “zgjedhja mes qenve dhe muslimanëve nuk është e vështirë”, retorika antimuslimane po bëhet gjithnjë e më e fortë. Pasi fotografia e Mamdanit në iftar filloi të qarkullonte në internet, disa republikanë reaguan me postime kritike.
Demokratët në masë të madhe i dënuan mesazhet e republikanëve. Lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, e quajti postimin e Tuberville “urrejtje të pakuptimtë”.
“Kjo lloj urrejtjeje islamofobe është në thelb joamerikane dhe duhet ta përballemi dhe ta mposhtim sa herë që ajo ngre kokën e saj të shëmtuar”, tha Schumer.
Mamdani, duke iu përgjigjur postimit të Tuberville ku thuhej se “armiku është brenda dyerve tona”, zgjodhi një qasje tjetër.
“Le të ketë mes politikanëve në Uashington po aq zemërim kur fëmijët vuajnë nga uria sa ka kur unë ndaj bukën me njujorkezët”, shkroi Mamdani.
Autoritetet federale identifikuan një burrë që këtë javë me automjet depërtoi në korridorin e sinagogës Temple Israel në West Bloomfield Township të Michiganit si një shtetas të natyralizuar të lindur në Liban.
Zyrtarët thanë se ai kishte humbur katër anëtarë të familjes javën e kaluar në një sulm ajror izraelit në Libanin e tij të lindjes, menjëherë pas perëndimit të diellit, ndërsa ata po bënin iftar gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Në Virxhinia, Mohamed Bailor Jalloh hapi zjarr në një klasë në Old Dominion University përpara se kadetët e programit ROTC ta neutralizonin dhe ta vrisnin. Dokumentet gjyqësore tregojnë se ai më parë kishte vuajtur dënim me burg për tentativë për të ndihmuar ISIL-in dhe ishte liruar më pak se dy vjet më parë.
Disa përfaqësues republikanë i shohin këto ngjarje si konfirmim të qëndrimeve të tyre. Të tjerë po shtyjnë propozime të reja ligjore. Përfaqësuesi nga Minnesota, Tom Emmer, tha se “siguria e kombit tonë varet nga aftësia jonë për të denaturalizuar dhe deportuar terroristët”.
Përfaqësuesi nga Virxhinia Perëndimore, Riley Moore, njoftoi se do të propozojë një ligj sipas të cilit çdo shtetasi të natyralizuar që “kryen një akt terrorist, planifikon një akt terrorist, i bashkohet një organizate terroriste ose ndihmon në çfarëdo mënyre terrorizmin kundër popullit amerikan” do t’i hiqet shtetësia dhe do të deportohet nga Shtetet e Bashkuara.
Retorikë dhe propozime të ngjashme politike janë parë edhe më parë, çdo herë të shoqëruara me polemika. Vitin e kaluar, protestues të lidhur me demonstratat për luftën mes Izraelit dhe Hamasit u arrestuan dhe u vunë në shënjestër nga autoritetet, mes tyre edhe ish-studenti i Universitetit Columbia, Mahmoud Khalil, një aktivist palestinez të cilin autoritetet po përpiqen ta mbajnë në paraburgim dhe ta deportojnë.
Konfliktet në Lindjen e Mesme prej kohësh kanë rritur tensionet brenda SHBA-së. Me luftën në Gaza, si komunitetet muslimane ashtu edhe ato hebraike përballen me sulme dhe diskriminim të bazuar në fe.
Mamdani tha se postimet që rikujtojnë sulmet e 11 shtatorit janë problematike jo vetëm për shkak të fjalëve, por edhe për “veprimet që shpesh i shoqërojnë”.
“Mendoj edhe për ato padrejtësi ‘më të vogla’, padrejtësi me të cilat përballen shumë njujorkezë, por për të cilat pritet që muslimanët t’i durojnë në heshtje. Për lodhjen nga nevoja e vazhdueshme për të shpjeguar veten para atyre që nuk janë të interesuar të kuptojnë. Për burrat që prezantohen me emrin e tyre, por për vite me radhë thirren vetëm Muhamed”, tha Mamdani.
Heshtja e dukshme e drejtuesve të Partisë Republikane, përfshirë edhe presidentin Donald Trump, pasqyron një ndryshim më të gjerë brenda partisë. Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, presidenti republikan George W. Bush vizitoi Qendrën Islame në Uashington për të paralajmëruar qartë kundër diskriminimit të muslimanëve.
“Amerika ka miliona muslimanë ndër qytetarët e saj dhe muslimanët japin një kontribut jashtëzakonisht të vlefshëm për vendin tonë. Ata duhet të trajtohen me respekt. Në zemërimin dhe emocionet tona, qytetarët tanë duhet të trajtojnë njëri-tjetrin me respekt”, tha Bush në atë kohë.
“Ata që mendojnë se mund të frikësojnë bashkëqytetarët tanë për të shfryrë zemërimin e tyre nuk përfaqësojnë më të mirën e Amerikës, por më të keqen e njerëzimit dhe duhet të turpërohen për një sjellje të tillë”, përfundoi Bush.










