Ish-kryeministri i Izraelit: Shteti po shpërbëhet, nuk mund ta mbajmë territorin

Ish-kryeministri izraelit Naftali Bennett ka kritikuar ashpër gjendjen në vend, duke theksuar se Izraeli po përballet me probleme serioze të sigurisë dhe funksionimit institucional, si dhe ka paralajmëruar masa të vendosura nëse rikthehet në pushtet.

“Shteti po shpërbëhet”, tha Bennett, duke theksuar se forcat izraelite po marrin territore, por më pas i braktisin për shkak të mungesës së kapaciteteve për t’i mbajtur ato. Sipas tij, problem shtesë është fakti se rreth 100.000 burra ultra-ortodoksë, të rinj dhe të shëndetshëm, nuk shërbejnë në ushtri, ndërkohë që shteti ndan miliarda nga buxheti për ta.

Bennett i bëri këto deklarata në një seri intervistash televizive, që janë paraqitjet e tij të para publike pasi këtë javë arriti një aleancë politike me liderin e opozitës Yair Lapid.

Duke folur për Channel 12, Bennett theksoi se nëse rikthehet në postin e kryeministrit, do të shkarkojë të gjithë zyrtarët për të cilët vlerëson se veprojnë në interes politik dhe jo shtetëror.

“Zyrtarët do të vlerësohen jo sipas qëllimeve të emërimit të tyre, por sipas performancës dhe asaj që konkretisht bëjnë në pozitat e tyre”, tha ai.

Pa përmendur emra konkretë, Bennett shprehu shqetësim për, siç u shpreh ai, “gjëra të pabesueshme” që ka vërejtur në punën e policisë.

“Policia po bëhet një institucion politik”, paralajmëroi ai, duke shtuar se të gjithë nëpunësit shtetërorë dhe zyrtarët policorë do të jenë nën mbikëqyrjen e tij nëse rikthehet në pushtet.

Kategoritë
BotaLajme