Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) njoftoi se Ngushtica strategjike e Hormuzit është mbyllur për të gjithë trafikun detar. Nga Teherani u lëshua një paralajmërim i ashpër se çdo anije që tenton të kalojë do të jetë objektiv sulmi, ndërsa njëkohësisht u kërcënua me ndërprerje të plotë të furnizimit me naftë për Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin.
Gjeneral brigade Sardar Ebrahim Jabbari, këshilltar i komandantit të IRGC-së, paralajmëroi drejtpërdrejt komunitetin ndërkombëtar, duke theksuar se forcat iraniane janë të gatshme për hapa radikalë në rajon.
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme botërore për transportin e energjisë, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për ekonominë globale.
“Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur. Kushdo që përpiqet të kalojë, heronjtë tanë në marinën e IRGC-së dhe ushtria do t’i djegin ato anije. Mos ejani në këtë rajon”, deklaroi Jabbari.
Ky veprim i Iranit tashmë ka shkaktuar tronditje serioze në tregjet globale, ndërsa në Teheran janë të vetëdijshëm për pasojat ekonomike.
“Çmimi i naftës ka arritur tashmë 82 dollarë për fuçi dhe është e sigurt që bota po pret momentin kur ai të rritet në të paktën 200 dollarë”, tha Jabbari, duke paralajmëruar hapur një krizë globale energjetike.
Në fjalimin e tij, gjenerali iranian sulmoi veçanërisht SHBA-në, duke paralajmëruar goditje ushtarake ndaj infrastrukturës amerikane në Lindjen e Mesme.
“Amerikanët kanë mijëra miliarda dollarë borxh. Ata janë të etur për naftën e këtij rajoni. Ne do të godasim gjithashtu tubacionet e tyre të naftës në rajon dhe nuk do të lejojmë eksportin e naftës nga këtu, për t’i vënë në presion”, paralajmëroi Jabbari, duke përfunduar:
“Asnjë pikë e vetme nafte nuk do t’ju kalojë në fyt. Dijeni këtë.”




















