Iranianët festojnë Ditën e Republikës Islamike, Trump dhe Netanyahu protagonistët kryesorë negativë

Në ditën kur presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvillojnë takim, në Iran u shënua 47-vjetori i Revolucionit Islamik që çoi në krijimin e Republikës Islamike.

Revolucioni rrëzoi monarkinë e dinastisë Pahlavi dhe vendosi Republikën Islamike të Iranit, me ajatollahun Ruhollah Khomeini si udhëheqësin e parë suprem.

Aktualisht, posti i udhëheqësit suprem mbahet nga ajatollah Ali Khamenei, në duart e të cilit është përqendruar pushteti më i madh në vend.

Në sheshin qendror të Teheranit, disa pjesëmarrës mbanin kukulla gjigante me figurat e Trump dhe Netanyahut, ndërsa të tjerë postera ku ata paraqiteshin me “duar të përgjakura” ose të vizatuar si djaj.

Përvjetori i Republikës Islamike u mbajt pas protestave të fundit masive kundër qeverisë, të nxitura nga kriza e thellë ekonomike.

Sipas organizatave joqeveritare që monitorojnë situatën në Iran dhe Lindjen e Mesme, gjatë shtypjes së protestave janë vrarë të paktën 2.000 persona dhe janë arrestuar dhjetëra mijëra të tjerë.

Festimet u zhvilluan në një klimë tensionesh të larta dhe në kohën e rritjes së pranisë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

Trump ka kërcënuar në disa raste regjimin në Teheran me mundësinë e një sulmi ushtarak.

Kategoritë
BotaLajme