Komentet erdhën pasi u raportua se Irani dhe SHBA-ja po i afroheshin një marrëveshjeje paraprake për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të krijuar një kornizë për negociata më të gjera
Irani ka bërë të ditur se një propozim amerikan i përcjellë përmes ndërmjetësimit pakistanez mbetet ende në shqyrtim dhe se Teherani do ta komunikojë qëndrimin e tij përfundimtar pasi të përfundojnë vlerësimet e brendshme, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Esmail Baghaei, tha për agjencinë gjysmëzyrtare iraniane ISNA se propozimi amerikan ende po shqyrtohet dhe se Irani do t’ia përcjellë përfundimet palës pakistaneze sapo të finalizohet procesi i rishikimit.
ISNA gjithashtu raportoi se pjesë të përmbajtjes së publikuar nga mediumi amerikan Axios lidhur me një marrëveshje të mundshme mes Teheranit dhe Washingtonit ishin “spekulime mediatike”, duke shtuar se ekipi negociator iranian mbetet i fokusuar në çështjen e “përfundimit të plotë të luftës”.
Sipas raportit, çështjet bërthamore “nuk janë në diskutim në këtë fazë” të negociatave.
Ndërkohë, agjencia iraniane Tasnim, duke cituar një burim të informuar, raportoi se Teherani ende nuk i është përgjigjur zyrtarisht propozimit të fundit amerikan, pasi disa dispozita konsiderohen të papranueshme.
Komentet erdhën pasi Axios raportoi se Irani dhe SHBA-ja po i afroheshin një marrëveshjeje paraprake për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të krijuar një kornizë për negociata më të gjera.
Sipas raportit, memorandumi i propozuar do të shpallte fundin e luftës dhe do të niste një proces negociues 30-ditor që përfshin çështje si Ngushtica e Hormuzit, programi bërthamor iranian dhe lehtësimi i sanksioneve.
Axios tha se diskutimet sipas draftit përfshijnë një moratorium të përkohshëm për pasurimin e uraniumit, lehtësim gradual të sanksioneve dhe zgjerim të inspektimeve të aktiviteteve bërthamore të Iranit, duke theksuar se ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje përfundimtare.
Të hënën, Baghaei gjatë një konference për media deklaroi se mesazhi amerikan i përcjellë përmes Pakistanit mbetej në shqyrtim dhe se Washingtoni vazhdon të parashtrojë “kërkesa të paarsyeshme”.
Duke iu referuar raportimeve mediatike mbi të ashtuquajturën “iniciativë me 14 pika” të Iranit, zëdhënësi tha se çështjet që lidhen me pasurimin dhe materialet bërthamore mbeten spekulative dhe nuk kanë arritur ende në ndonjë mirëkuptim të finalizuar.









