Irani: Përgjigjja ndaj propozimit të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës është “bujare dhe e përgjegjshme”

“Pakistani mbetet ndërmjetës zyrtar midis Teheranit dhe Washingtonit”, thotë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei e quajti sot ofertë “bujare dhe të përgjegjshme” përgjigjen e Teheranit ndaj propozimit të fundit të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës, transmeton Anadolu.

“Ne nuk kërkuam asnjë lëshim nga SHBA-ja, por përkundrazi kërkuam përfundimin e luftës dhe ndalimin e piraterisë detare kundër anijeve iraniane”, tha Baqaei në deklaratat e transmetuara nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

I pyetur për disa lajme lidhur me rolin e Katarit në ndërmjetësim me Washingtonin, Baqaei tha se ndërsa Irani po mban kontakte me vende të ndryshme lidhur me tensionet e vazhdueshme, “Pakistani vazhdon rolin e tij si ndërmjetës zyrtar”.

“Pakistani, si ndërmjetës zyrtar midis Iranit dhe SHBA-së, vazhdon aktivitetet e tij në këtë drejtim”, theksoi ai duke shtuar se edhe vendet e tjera, përfshirë Katarin, ndajnë mendimet e tyre në këtë proces.

Duke deklaruar se proceset diplomatike kanë rregullat e tyre, Baqaei tha se “palët e përfshira në një proces diplomatik duhet të veprojnë bazuar në interesat e tyre kombëtare”. “Irani do të luftojë sa herë që është e nevojshme dhe do të shfrytëzojë mundësitë diplomatike sa herë që e shohim të arsyeshme”, pohoi zëdhënësi.

Të dielën, Irani u dërgoi ndërmjetësve pakistanezë përgjigjen e tij ndaj propozimit të fundit të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës.

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar hakmarrje nga Teherani kundër Izraelit, si dhe aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, së bashku me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit pakistanez, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të prodhonin marrëveshje të qëndrueshme. Armëpushimi u zgjat më vonë nga presidenti amerikan Donald Trump pa afat të caktuar, duke i hapur rrugë diplomacisë për zgjidhje të përhershme të luftës.

Kategoritë
BotaLajme