Irani, Kina dhe Rusia do të zhvillojnë stërvitje detare në ujërat e Afrikës së Jugut

Republika e Afrikës së Jugut ka nisur stërvitje të përbashkëta detare shtatëditore me Rusinë, Kinën dhe Iranin pranë Cape Town-it, gjë që ka shkaktuar kritika brenda vendit dhe ka ngritur shqetësime se këto stërvitje mund t’i rëndojnë edhe më shumë marrëdhëniet tashmë të brishta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët perëndimorë.

Forcat Kombëtare të Mbrojtjes së Afrikës së Jugut (SANDF) njoftuan se stërvitjet me emrin “Will for Peace” 2026 kanë filluar zyrtarisht më 9 janar dhe do të zgjasin deri më 16 janar. Sipas SANDF-it, stërvitjet zhvillohen brenda ujërave territoriale të Afrikës së Jugut dhe synojnë forcimin e sigurisë detare, mbrojtjen e rrugëve detare të lundrimit dhe rritjen e bashkëpunimit detar rajonal.

Kina është organizatorja kryesore e kësaj stërvitjeje shtatëditore. Në stërvitje marrin pjesë drejtpërdrejt anije luftarake të Afrikës së Jugut, Kinës, Rusisë, Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa Indonezia, Etiopia dhe Brazili marrin pjesë si vëzhgues.

Stërvitjet kanë nxitur kritika të ashpra nga Aleanca Demokratike (DA), pjesë e Qeverisë Kombëtare Unitare të Afrikës së Jugut, e udhëhequr nga Kongresi Kombëtar Afrikan (ANC) i presidentit Cyril Ramaphosa.

Në një deklaratë, DA tha se emërtimi i stërvitjeve si “bashkëpunim i BRICS-it” e fsheh, sipas tyre, forcimin e lidhjeve ushtarake të Pretorias me “shtete problematike dhe të sanksionuara si Rusia dhe Irani”.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Bantu Holomisa, i hodhi poshtë kritikat, duke theksuar se stërvitjet e përbashkëta detare nuk janë të reja për Afrikën e Jugut. Në një intervistë për televizionin lokal Newzroom Afrika të premten, Holomisa deklaroi se SANDF ka një traditë të gjatë bashkëpunimi ushtarak me shtetet partnere.

“Kjo nuk është hera e parë që zhvillojnë këtë stërvitje me vende mike,” tha ai, duke shtuar se anëtarësimi i Afrikës së Jugut në BRICS e zgjeron natyrshëm fushën e këtij bashkëpunimi.

Holomisa theksoi se BRICS, i cili fillimisht përfshinte Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, tani është zgjeruar me vende si Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopia, Indonezia dhe Irani. Ai shtoi se stërvitja do të ndihmojë në ngritjen e moralit të ushtarëve dhe do të ofrojë mundësi të vlefshme trajnimi me ushtri të pajisura mirë.

“Është nder për ta që të stërviten me vende që janë të avancuara në aspektin ushtarak,” shtoi ai.

Stërvitjet detare vijnë në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet mes Pretorias dhe Uashingtonit. Marrëdhëniet u përkeqësuan dukshëm vitin e kaluar për shkak të mosmarrëveshjeve rreth politikës së jashtme dhe të brendshme, përfshirë akuzat e presidentit amerikan Donald Trump për “gjenocid” ndaj afrikanerëve dhe pretendimet për konfiskim të tokës, të cilat shteti i Afrikës së Jugut i mohoi ashpër.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu bojkotuan samitin e vitit të kaluar të G20 në Johanesburg, i cili u mbajt për herë të parë në tokë afrikane.

Paralajmërime nga ekspertët për pasoja diplomatike

Analisti politik Andre Duvenhage nga Universiteti North West paralajmëroi se stërvitja e përbashkët mund ta dëmtojë edhe më tej pozitën e Afrikës së Jugut tek partnerët perëndimorë.

“Nuk kam asnjë dyshim se kjo do ta komplikojë marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara, si dhe me vendet e tjera perëndimore,” tha Duvenhage, duke shtuar se Afrika e Jugut ka nevojë urgjente për investime të huaja dhe mbështetje ekonomike.

Kategoritë
BotaLajme