Humbja e LDK-së sinjal alarmi, Abdixhiku duhet të marrë përgjegjësi

Albinot Maloku dhe Ilir Krasniqi vlerësojnë se rënia e 28 dhjetorit 2025 nuk është incident kalimtar, por pasojë e krizës së lidershipit, mungesës së debatit të brendshëm dhe distancimit nga elektorati

Rezultati i zgjedhjeve nacionale të 28 dhjetorit 2025, ku Lidhja Demokratike e Kosovës shënoi rënie të ndjeshme, ka nxitur reagime të forta nga njohës të zhvillimeve politike, të cilët kërkojnë përgjegjësi të qartë nga lidershipi aktual i partisë.

Maloku: LDK-ja në krizë lidershipi, dorëheqja dhe reforma janë të pashmangshme

Politologu Albinot Maloku thekson se LDK-ja përfaqëson një nga shtyllat themelore të shtetformimit të Kosovës dhe se trashëgimia e saj politike “nuk mund të relativizohet nga një cikël zgjedhor”. Megjithatë, sipas tij, rezultati i fundit zgjedhor nuk duhet trajtuar si incident i përkohshëm.

“Rezultati i 28 dhjetorit 2025 nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si një incident kalimtar, por si një sinjal serioz alarmi për drejtimin aktual të partisë dhe për modelin e lidershipit që e ka përfaqësuar atë në vitet e fundit,” vlerëson Maloku, për Kosova.info.

Ai shton se historia e LDK-së është ndërtuar mbi urtësinë politike, qartësinë morale dhe komunikimin e sinqertë me qytetarin, elemente që, sipas tij, bien në kontrast me qasjen aktuale të kryetarit Lumir Abdixhiku.

“Kjo qasje shpesh është karakterizuar nga një diskurs i paqartë politik, distancim nga realiteti shoqëror dhe një prirje për vetëpromovim që nuk rezonon me kulturën tradicionale të elektoratit të LDK-së,” thekson Maloku.

Sipas tij, shoqëria kosovare historikisht ka refuzuar “megallomaninë politike dhe lidershipin e shkëputur nga qytetari”, ndërsa përgjegjësia për humbjen nuk mund t’u faturohet kritikëve apo elektoratit.

“Kjo nënkupton dorëheqjen e kreut aktual së pari dhe përgatitjen e një procesi zgjedhor brendapartiak,” shprehet Maloku duke kërkuar riorientim ideologjik dhe ndërtimin e një të djathte moderne, qytetare dhe të besueshme.

Krasniqi: Humbjet e njëpasnjëshme e bëjnë të domosdoshme përgjegjësinë politike në LDK

Në të njëjtën linjë është edhe Ilir Krasniqi, njohës i zhvillimeve politike në vend, i cili vlerëson se pas rënies drastike elektorale “është normale të vihet para përgjegjësisë lideri i saj, Lumir Abdixhiku, i cili nga ana morale duhet të paraqesë dorëheqjen”.

“Është e qartë që jo domosdoshmërisht lideri është problemi i vetëm dhe që problemet mund të jenë strukturore. Por kjo parti ka humbur dy palë zgjedhje nacionale, gjë që e bën më shumë përgjegjës liderin për organizimin e brendshëm dhe mungesën e debateve të hapura,” thotë Krasniqi, për Kosova.info.

Ai kritikon listat e kandidatëve, ku sipas tij “për disa cikle zgjedhore nuk janë arritur rezultate, por të njëjtët emra janë gjetur sërish në lista”, si dhe mungesën e një opozite të qartë dhe të fortë ndaj qeverisë aktuale.

“Vetë fakti që nuk është krijuar një kabinet qeverisës në hije tregon mungesë debati të hapur dhe të sinqertë,” shton Krasniqi.

Sipas tij, LDK-ja duhet të mbajë Kuvend dhe të diskutojë çështjen e lidershipit, por me kusht që ndryshimet të shoqërohen me reforma të vërteta të brendshme.

“Ndryshimi vetëm i emrit në krye nuk do të mjaftojë,” përfundon Krasniqi duke theksuar nevojën për vizion të qartë politik dhe hapje reale ndaj elektoratit.

Të dy analistët vlerësojnë se narrativat që lidhin dështimin e LDK-së me mosbashkimin me Lëvizjen Vetëvendosje janë më shumë justifikime sesa analiza reale, ndërsa kriza, sipas tyre, mbetet thellësisht e brendshme: e vizionit, e lidershipit dhe e identitetit politik. /Kosova.info/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi