Hoti: Keqmenaxhimi me rrymë po i kthehet si ndëshkim qytetarëve

Deputeti i zgjedhur, Avdullah Hoti ka reaguar për krizën energjetike dhe reduktimet e rrymës që kanë nisur të mërkurën.

Hoti ka thënë se keqmenaxhimi i sektorit të energjisë elektrike po i kthehet qytetarëve si ndëshkim kolektiv.

Ai ka thënë se është e papranueshme se si në vitin 2026 qytetarët dhe bizneset po përballen me ndërprerje të rrymës.

“Keqmenaxhimi i sektorit të energjisë elektrike po i kthehet qytetarëve si ndëshkim kolektiv. Pas viteve të humbura pa investime, pa planifikim dhe pa përgjegjësi, KOSTT del me njoftime për reduktime të energjisë”, ka thënë Hoti.

“Është e papranueshme që në 2026 qytetarët dhe bizneset të përballen me ndërprerje të rrymës për shkak të dështimeve të atyre që kanë pasur pushtetin dhe buxhetin në dorë. Askush nuk mund të fshihet pas njoftimeve teknike, kur përgjegjësia është politike dhe direkte”, ka thënë ai.

“Energjia nuk është luks, është e drejtë themelore. Çdo reduktim është dëshmi e qartë e keqmenaxhimit, mungesës së vizionit dhe neglizhencës ndaj interesit publik. Qytetarët po paguajnë çmimin e dështimit të kësaj qeverie me errësirë, me dëme ekonomike dhe me pasiguri”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi