Në Austri është hapur tuneli i ri hekurudhor Koralm, me gjatësi 33 kilometra, i cili lidh qytetet Graz dhe Klagenfurt. Përmes tij, trenat do të mund të lëvizin me shpejtësi deri në 250 kilometra në orë, ndërsa bëhet fjalë për një nga tunelet hekurudhore më të gjata në botë.
Me hapjen e tunelit Koralm, i ndërtuar nën masivin malor Koralp në jug të Austrisë, koha e udhëtimit mes Grazit dhe Klagenfurtit është shkurtuar në 40 minuta, nga rreth tre orë sa ishte më parë. Po ashtu, udhëtimi mes Vjenës dhe Klagenfurtit përmes Grazit është shkurtuar për më shumë se një orë dhe tani zgjat rreth dy orë e gjysmë.
Gazeta Kleine Zeitung ka regjistruar të gjithë udhëtimin me tren nga Grazi në Klagenfurt, përfshirë edhe kalimin nëpër tunel, i cili përshkohet për afro 10 minuta.
Në udhëtimin e parë përmes tunelit Koralm morën pjesë shumë zyrtarë shtetërorë, përfshirë presidentin e Austrisë Alexander Van der Bellen, kancelarin Christian Stocker dhe zëvendëskancelarin Andreas Babler.
Treni u nis sot nga Grazi në orën 11:00 dhe mbërriti në Klagenfurt në orën 11:38, ndërsa trafiku i rregullt do të nisë të dielën. Për këtë rast janë rezervuar tashmë më shumë se 5.500 bileta.
Projekti i modernizimit të të gjithë linjës hekurudhore, ndërtimit të nyjës së re Weststeiermark dhe përmirësimit të stacioneve kryesore rajonale ka nisur që në vitin 1995. Ky projekt ka rëndësi ndërkombëtare, pasi do të përshpejtojë lidhjet me Triesten dhe Venecian për më shumë se dy orë dhe do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për portin e Triestes.
Sipas autoriteteve austriake, tuneli Koralm krijon një lidhje të re, më të shpejtë dhe strategjikisht të rëndësishme me bregdetin e Adriatikut.










