Hamasi njoftoi se kishte goditur qytetin Beit Shams, në perëndim të Kudsit dhe zonën ku janë të vendosur ushtarët izraelitë pranë Rripit të Gazës
Grupi palestinez i rezistencës Hamas u bëri thirrje palestinezëve që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar që të “mobilizohen menjëherë dhe të kundërshtojnë ushtrinë izraelite dhe kolonët hebrenj”, raporton Anadolu.
Deklarata, në të cilën Hamasi bëri thirrje për rezistencë, i kërkoi popullit palestinez të mobilizohet dhe t’i rezistojë urgjentisht “ushtrisë pushtuese dhe hordhive të saj të kolonëve që kanë pushtuar dhe sulmuar fshatrat tona në Bregun Perëndimor të pushtuar”.
“Çdo person i lirë dhe i nderuar duhet të fillojë t’u rezistojë këyre kriminelëve nga tërbimi dhe sulmet e tyre ndaj popullit tonë, trojeve tona dhe vendeve të shenjta”, thuhet në deklaratë.
Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam njoftoi se qyteti i Beit Shams, në perëndim të Kudsit dhe zona ku janë vendosur ushtarët izraelitë pranë Rripit të Gazës, ishte goditur.
Hamasi thotë se shumë raketa u hodhën në zonën ku ishin vendosur ushtarët izraelitë në Yad Mordechai, afër kufirit jugor të Gazës. Situata u përshkallëzua në Rripin e Gazës pas sulmeve nga grupi palestinez Hamas në qytetet izraelite të shtunën.
Krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, nisi operacion gjithëpërfshirës të quajtur “Tufani i Al-Aksa-së” të shtunën në mëngjes. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme masive ajrore ndaj Gazës.
Numri i palestinezëve të vrarë nga bombardimet izraelite në Gaza është rritur në 1.417.
Të paktën 1.300 izraelitë janë vrarë dhe 3.300 janë plagosur në sulmet nga Gaza.
