Hakan Fidan: E paralajmërova Teheranin se Izraeli po kërkon një mundësi për të sulmuar Iranin

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, paralajmëroi të premten se ekzistojnë shenja që Izraeli po kërkon një mundësi për të sulmuar Iranin, duke shtuar se gjatë vizitës së tij të fundit në Teheran ia ka përcjellë udhëheqjes iraniane shqetësimet e Ankarasë lidhur me një sulm të mundshëm dhe destabilizimin e përgjithshëm të rajonit.

Në një intervistë për televizionin turk NTV, Fidan theksoi se ka tregues se Izraeli “në mënyrë të veçantë po kërkon një mundësi për të goditur Iranin”. I pyetur nëse kjo vlerësim përfshin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai sqaroi se veçanërisht Izraeli konsiderohet si aktori që po kërkon një mundësi të tillë.

Shefi i diplomacisë turke tha se shqetësimin për një sulm të mundshëm ua ka përcjellë drejtpërdrejt zyrtarëve iranianë gjatë vizitës së tij të fundit në Teheran.

“Kur shkova këto ditë në Teheran, si mik i tyre ua thashë gjithçka për këtë proces. Dhe ju e dini, miku i thotë të vërtetat e hidhura”, deklaroi Fidan.

Paralajmërimet e Fidanit erdhën pasi presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, në një bisedë telefonike të enjten me homologun e tij iranian Masoud Pezeshkian, theksoi se Turqia është kundër çdo ndërhyrjeje të huaj në Iran dhe se e vlerëson paqen dhe stabilitetin e fqinjit të saj.

Nga ana tjetër, të premten një zyrtar i lartë iranian deklaroi për agjencinë Reuters se Teherani do ta trajtojë çdo sulm nga armiqtë e tij “si një luftë totale kundër nesh”. Kjo deklaratë e ashpërsoi edhe më tej retorikën në përplasjen gjithnjë e më të tensionuar verbale mes Uashingtonit dhe udhëheqjes iraniane.

Kategoritë
BotaLajme