Franca po shqetësohet gjithnjë e më shumë për shkak të rritjes së shpejtë të kapaciteteve ushtarake të Gjermanisë, nga frika se kjo mund të ndryshojë jo vetëm ekuilibrin strategjik dhe politik brenda Evropës, por edhe të dobësojë ndikimin tradicional të Parisit në kontinent evropian.
Sipas një raporti të Bloomberg, zyrtarët francezë po ndjekin nga afër atë që është përshkruar si një nismë “historike” e riarmatimit të Gjermanisë, me një përzierje admirimi dhe shqetësimi.
Gjatë dy viteve të fundit, Berlini ka ndërmarrë një forcim të paparë të mbrojtjes, shkaku i luftës në Ukrainë, Zeitenwende, ose “pikës së kthesës”. Gjermania planifikon të shpenzojë mbi 500 miliardë euro për mbrojtje deri në vitin 2029.
Vetëm për vitin 2026, buxheti i saj ushtarak pritet të arrijë rreth 127 miliardë dollarë, duke e bërë një nga shpenzuesit më të mëdhenj të mbrojtjes në nivel global.
Në të njëjtën kohë, Gjermania ka lehtësuar kufijtë kushtetues të huamarrjes, duke i mundësuar të financojë riarmatim me një ritëm që shumë vende evropiane, të kufizuara nga borxhi dhe rregullat fiskale, nuk mund ta arrijnë.
Ndërsa aleatët e NATO-s kanë mirëpritur gjerësisht rikthimin e fokusit të Gjermanisë te mbrojtja, atmosfera në Paris është më e ndërlikuar, transmeton Telegrafi.
Franca prej kohësh i ka kërkuar Gjermanisë të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e Evropës.
Megjithatë, zyrtarët francezë tani shqetësohen se shkalla dhe shpejtësia e veprimeve të Berlinit mund ta lënë Francën strategjikisht pas. Katër zyrtarë të lartë francezë i thanë Bloomberg se ekziston një “shqetësim i përgjithshëm” lidhur me fuqinë në rritje ushtarake të Gjermanisë dhe ndikimin politik që vjen me të.
Ky shqetësim u shpreh edhe nga ligjvënësi francez François-Xavier Bellamy, i cili paralajmëroi se Franca rrezikon të mbetet pas. “Franca është në një situatë të brishtë, dhe fakti që Gjermania po angazhohet me një vendosmëri të tillë sigurisht krijon një dinamikë që mund të na lërë anash”, tha ai.
Për më tepër, janë shfaqur tensione në disa projekte kyçe të mbrojtjes evropiane. Franca ka shprehur zhgënjim ndaj Iniciativës së Gjermanisë për Mburojat e Qiellit Evropian, një plan mbrojtjeje nga raketat që mbështetet shumë në sistemet amerikane dhe izraelite, dhe i cili u prezantua pa një përfshirje të fortë franceze. Parisi e sheh këtë iniciativë si një minimizim të përpjekjeve për të ndërtuar një arkitekturë më autonome të mbrojtjes evropiane.
Përveç kësaj, vendimi i Gjermanisë për të blerë aeroplanë luftarakë F-35 të prodhuar në SHBA, në vend të alternativave evropiane, ka tensionuar më tej marrëdhëniet.











