Gjermania në telashe: Dronët për të cilët shpenzon mbi 250 milionë euro kanë dhënë rezultate shumë të dobëta në Ukrainë

Gjermania po përgatitet të shpenzojë qindra milionë euro për një sistem të ri dronësh të armatosur, pikërisht në një moment kur të dhënat nga fronti i luftës në Ukrainë vënë seriozisht në pikëpyetje efektivitetin e tyre, shkruan Politico.

Blerja e planifikuar në vlerë prej 267.7 milionë eurosh nga startup-i i mbrojtjes Helsing përbën pjesën qendrore të përpjekjeve gjermane për modernizimin e ushtrisë dhe shndërrimin e Bundeswehr-it në një forcë të aftë për luftë. Bëhet fjalë për një projekt shumëmilionësh që është bërë urgjent për shkak të kërcënimit rus dhe tërheqjes së SHBA-së nga roli i saj tradicional i sigurisë në Evropë.

Të dhënat nga Ukraina hapin mundësinë që forcimi më i fundit i kapaciteteve ushtarake gjermane të rrëshqasë në modelin tashmë të njohur të Bundeswehr-it: investime të mëdha në pajisje të reja që në terren nuk i përmbushin pritshmëritë. Kjo kujton dështimet e mëparshme, për shkak të të cilave avionët luftarakë mbeteshin në tokë, helikopterët të papërdorshëm, ndërsa ushtarët përballeshin edhe me mungesa bazike si lidhje të sigurta radio dhe municion, shkruan Politico.

Helsing ka theksuar publikisht përdorimin e dronëve të saj HX-2 si dëshmi të besueshmërisë së tyre. Gjermania planifikon të blejë 4.350 prej këtyre mjeteve ajrore pa pilot, së bashku me simulatorë, pajisje trajnimi dhe shtesa teknike, sipas tenderit qeveritar të cilin Politico e ka parë.

“HX-2 është testuar me sukses në operacione luftarake në vijën e parë në Ukrainë dhe performanca e sistemit është dokumentuar,” thuhet në faqen e kompanisë, duke shtuar se sistemi është miratuar për përdorim në fushëbetejë dhe është përfshirë në sistemin qendror ushtarak të porosive të Ukrainës.

Në deklaratën e saj, kompania i referohet gjithashtu testimeve të gjera jashtë Ukrainës. Sipas Helsing, HX-2 gjatë provave në Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar dhe me ushtrinë britanike në Kenia ka arritur një shkallë goditjeje afër ose të barabartë me 100 për qind, për çka, siç thonë ata, ekzistojnë raporte të shkruara testimi.

Megjithatë, bazuar në misionet e vlerësuara, shkalla e suksesit të HX-2 ishte vetëm 36 për qind, që do të thotë se droni arriti objektivin në pesë nga 14 raste të përdorimit. Humbjet ishin kryesisht pasojë e problemeve të vetë sistemit, thuhet në të dhëna.

Nga dokumentet nuk është e qartë nëse dronët që Gjermania planifikon të blejë janë identikë me ata të përdorur në Ukrainë apo bëhet fjalë për variante më të avancuara.

Dy zyrtarë të njohur me procedurën gjermane të prokurimit i thanë Politico-s se Ministria e Mbrojtjes po i përfshin edhe të dhënat nga Ukraina në vlerësimet e saj të brendshme.

Kontrata është strukturuar si marrëveshje kornizë, e cila përfshin opsione për blerjen e deri në 20.000 dronëve shtesë dhe stacioneve tokësore shtesë të kontrollit, çka do të thotë se vëllimi total i prokurimit mund të tejkalojë ndjeshëm atë që aktualisht kërkohet të miratohet nga parlamenti. Pesëmbëdhjetë për qind e vlerës së kontratës parashihet për pagesë paraprake.

Parlamenti gjerman duhet të miratojë të gjitha kontratat ushtarake me vlerë mbi 25 milionë euro. Vendimi pritet deri në fund të shkurtit.

Kategoritë
BotaLajme