Gjermani – Merkel: Efektet e vaksinës antiCOVID do të shihen pas 3-4 muajsh

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi se efektet e vaksinimit kundër llojit të ri të koronavirusit (COVID-19) do të shihen 3-4 muaj më vonë dhe se periudha pas kësaj do të jetë shumë më e mirë.

Gjatë një takimi virtual të enjten me punonjësit e organizatave bamirëse në Gjermani, Merkel tha se situata epidemiologjike do të jetë e vështirë deri në verë.

“Drita në fund të tunelit u shfaq. Do të jetë e vështirë për 3-4 muaj. Pas kësaj, ne me të vërtetë do të shohim efektet e vaksinimit. Atëherë do të jetë shumë më mirë”, u shpreh ajo.

Shefja e Berlinit zyrtar theksoi se megjithatë ekziston një pasiguri në luftën kundër pandemisë.

“Tani po përpiqemi të ndërtojmë urat, por nuk e dimë saktësisht se ku duhet t’i ndërtojmë ato. Pra, as ne s’jemi në gjendje ta shohim bregun”, shtoi kancelarja gjermane.

Pasi vuri në pah se mosnjohja e fundit të pandemisë e bën të vështirë vendimmarrjen për politikanët, Merkel vlerësoi se gjatë krizës financiare të disa viteve më parë, bankave në vështirësi iu dhanë para dhe në këtë mënyrë u eliminuar situata që shkaktoi krizën, por në këtë pandemi shumë gjëra janë ende të paqarta.

Mes të tjerash, kancelarja gjermane paralajmëroi qytetarët kundër mutacioneve të virusit dhe bëri thirrje për pak më shumë kujdes e durim.

Kategoritë
BotaLajme