Gjenerali gjerman paralajmëron: Sulmi rus mund të ndodhë brenda dy deri në tre vjetësh, spitalet duhet të jenë të përgatitura

Ndërsa tensionet në lindje të Evropës nuk po zbuten, udhëheqja ushtarake gjermane po e përgatit intensivisht vendin për skenarin më të keq: një përplasje të drejtpërdrejtë mes NATO-s dhe Rusisë.

Gjeneral-lejtnant Gerald Funke, komandant i mbështetjes logjistike të forcave të armatosura gjermane, paralajmëroi se Gjermania mund të përballet me realitetin e luftës që në dy deri në tre vitet e ardhshme.

Në një intervistë për gazetën britanike The Times, Funke tha se përgatitjet janë të përqendruara në kushte ekstreme që i ngjajnë ditëve më të vështira të pandemisë së koronavirusit, por në një formë shumë më brutale. Sipas tij, sistemi shëndetësor gjerman duhet të jetë i gatshëm të pranojë deri në 1.000 të plagosur në ditë.

“Në Afganistan kishim një numër të lartë, por të menaxhueshëm të të plagosurve. Tani duhet të llogarisim në mijëra viktima çdo ditë. Sa më shumë i analizoni detajet, aq më komplekse dhe më e vështirë bëhet për t’u imagjinuar,” deklaroi Funke.

Gjermania si zemra logjistike e NATO-s

Planet parashikojnë që Gjermania, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, të shndërrohet në nyjën kryesore logjistike të Aleancës. Skenari për të cilin po përgatitet ushtria përfshin mobilizim masiv, përkatësisht dërgimin e 4.800 ushtarëve nga baza në Lituani në vijën e frontit, me mbështetjen e edhe 15.000 pjesëtarëve të forcave të reagimit të shpejtë.

Kjo nënkupton edhe krijimin e një korridori logjistik, ardhjen e dhjetëra mijëra trupave aleate në portet e Detit të Veriut, prej nga do të transportoheshin drejt lindjes. Pritet që rrugët e transportit dhe hekurudhat të jenë objekt i sulmeve kibernetike ruse, sabotimeve dhe potencialisht goditjeve me raketa me rreze të gjatë veprimi.

Gjenerali Funke shprehu shqetësim të veçantë për “anën e padukshme” të luftës. Ai paralajmëron për veprimtarinë e agjentëve rusë, qelizave të fjetura dhe sulmeve të synuara ndaj infrastrukturës, të cilat mund të shkaktojnë ndërprerje të energjisë elektrike dhe paralizim të trafikut hekurudhor.

“Kërcënimi hibrid është jashtëzakonisht i lartë. Detyra jonë është të sigurojmë që logjistika të funksionojë edhe kur drejtimet kryesore janë të ndërprera,” theksoi ai.

Kategoritë
BotaLajme