Gaza, mbahet Festivali Ndërkombëtar i Kinemasë për Gra

Eventi, i cili u zhvillua në qytetin qendror Deir al-Balah, kishte për qëllim të nxirrte në pah vuajtjet e grave palestineze gjatë sulmeve dyvjeçare të Izraelit në enklavë

Në Gaza u mbajt Festivali Ndërkombëtar i Kinemasë për Gra, raporton Anadolu.

Eventi, i cili u zhvillua në qytetin qendror Deir al-Balah, kishte për qëllim të nxirrte në pah vuajtjet e grave palestineze gjatë sulmeve dyvjeçare të Izraelit në enklavë.

Festivali u organizua në bashkëpunim me Ministrinë palestineze të Kulturës dhe me pjesëmarrjen e institucioneve të artit vendas dhe ndërkombëtar.

Në hapje u shfaq filmi “Zëri i Hind Rajab”, i cili fitoi Çmimin e Madh të Jurisë “Luani i Argjendtë” në Festivalin e 82-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia.

Filmi tregon historinë e vajzës 5-vjeçare palestineze Hind Rajab, e cila u vra së bashku me familjen e saj më 29 janar 2024 kur makina e tyre u godit nga zjarri izraelit në lagjen Tel al-Hawa të qytetit të Gazës.

Festivali mbahet në kuadër të Ditës Kombëtare të Grave Palestineze, e shpallur zyrtarisht nga Autoriteti Palestinez në vitin 2019 ndërsa synon të mbështesë rolet e grave në luftën shoqërore.

Themeluesja e festivalit, Ezzaldeen Shalh tha se eventi u krijua për t’u dhënë grave një zë përmes kinemasë.

“Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Gratë në Gaza lindi mes gjenocidit me të cilin u përballën gratë që humbën bashkëshortët dhe familjet e tyre. Ne donim të krijonim një platformë ku gratë mund të tregonin historitë e tyre”, tha ajo.

Shalh theksoi se festivali synon të inkurajojë gratë palestineze të marrin pjesë në krijimin e filmave dhe të ofrojë një hapësirë ​​edukative për të çuar punën e tyre në festivale ndërkombëtare.

Sipas Zyrës për media të Qeverisë së Gazës, më shumë se 12.500 gra palestineze kanë humbur jetën gjatë sulmeve të Izraelit në Gaza.

Izraeli ka vrarë më shumë se 68 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 170 mijë të tjerë në dy vjet sulmesh në Gaza që nga 7 tetori 2023.

Kategoritë
BotaLajme