Ministri i Arsimit i Francës konfirmoi se 298 nxënëse dolën në shkollë të hënën të veshura me abaja, veshjen e gjatë tradicionale myslimane tashmë të ndaluar.
Shumica e vajzave të moshës 15 vjeç e lart pranuan të ndërronin rrobat e tyre pas mbërritjes në shkollë dhe u lejuan të merrnin pjesë në mësime, megjithatë, 67 prej tyre refuzuan dhe u kthyen në shtëpi.
Sipas rregullave të reja të prezantuara nga ministria, në çdo rast ka pasur një dialog me stafin e shkollës, ndërsa tashmë ka një dialog me familjet e vajzave. Nëse nuk ka marrëveshje, vajzat do të përjashtohen nga klasa.
Duke marrë parasysh 12 milionë djem dhe vajza që filluan shkollën të hënën, qeveria beson se shifrat tregojnë se ndalimi është i pranuar gjerësisht. Megjithatë, një grup që përfaqëson disa myslimanë që kundërshtojnë ndalimin do të paraqitet sot në gjykatë.
Në fund të gushtit, ministrja e Arsimit bëri të ditur se nga fillimi i vitit të ri shkollor, më 4 shtator, nxënësve do t’u ndalohet të veshin fustanet e lirshme dhe të plota, të cilat i veshin disa vajza myslimane në shkollat franceze.
Franca ka një ndalim të rreptë të simboleve fetare në shkollat publike dhe ndërtesat qeveritare me arsyetimin se ato shkelin ligjet laike.
Mbajtja e shamive është e ndaluar në shkollat publike që nga viti 2004.
Masa e re vjen pas muajsh debati mbi veshjen e abajas në shkollat franceze. Kjo lloj veshjesh po vishet gjithnjë e më shumë nëpër shkolla, gjë që çon në ndarje politike rreth tyre. Partitë e krahut të djathtë mbrojnë ndalimin e tyre, ndërsa e majta shpreh shqetësimin për të drejtat e grave dhe vajzave muslimane.
Në vitin 2010, Franca ndaloi mbulimin e plotë të fytyrës në publik, gjë që zemëroi komunitetin mysliman të Francës prej 5 milionë banorësh.
Vendi dihet se ka vendosur një ndalim të rreptë për simbolet fetare në shkolla në shekullin e 19-të, duke përfshirë simbolet e krishtera si kryqet e mëdhenj, të gjitha në një përpjekje për të frenuar çdo ndikim katolik në arsimin publik.
Në përgjigje të ndryshimeve të popullsisë, Franca ka përditësuar ligjin gjatë viteve për të përfshirë shaminë myslimane dhe shaminë hebreje, por abajat nuk janë ndaluar plotësisht deri më tani.

