Franca i ka bërë thirrje Izraelit të tërheqë forcat nga territori sirian dhe të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë, duke paralajmëruar se çdo vendosje ushtarake brenda zonës së çmilitarizuar nën mandatin e OKB-së përbën shkelje të detyrimeve të kahershme ndërkombëtare.
Në një konferencë për shtyp në Paris, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme franceze tha se Parisi “ripohoi me vendosmëri” se marrëveshja e vitit 1974 për ndarjen e forcave mes Izraelit dhe Sirisë duhet të respektohet plotësisht nga të dy palët nënshkruese.
“Franca i bën thirrje ushtrisë izraelite të tërhiqet dhe këmbëngul në respektimin e plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë,” deklaroi Pascal Confavreux.
Ai shtoi se Parisi mbështet krijimin e një marrëveshjeje sigurie Izrael–Siri, me synimin që të rivendosen marrëdhënie fqinjësore dhe të kontribuohet në një tranzicion politik paqësor drejt një Sirie të unifikuar.
Paralajmërim për shkeljet në zonën e demarkacionit
Confavreux theksoi se çdo prani ushtarake izraelite brenda zonës së ndarjes “përbën shkelje të marrëveshjes së vitit 1974” dhe duhet të ndërpritet menjëherë.
Ai shprehu gjithashtu shqetësim të thellë për dhunën në rritje të lidhur me sulmet e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Parisi ka kërkuar nga qeveria izraelite hetimin e sulmeve të fundit, duke përfshirë arrestimin e katër kolonëve ekstremistë, dhe kërkon vendosjen e sanksioneve të duhura për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
“Çdo plan që nënkupton aneksim de facto, veçanërisht projektet e ndërtimit të vendbanimeve që rrezikojnë integritetin territorial të Bregut Perëndimor, mbeten vijë e kuqe për Francën,” tha ai.
Ai shtoi se Franca vazhdon të mbështesë Autoritetin Palestinez si organin legjitim të qeverisjes si në Gazë, ashtu edhe në Bregun Perëndimor.
Situata në jug të Libanit
Confavreux shprehu shqetësim të thellë për përshkallëzimin e sulmeve izraelite në jug të Libanit, duke dënuar goditjet që kanë shkaktuar viktima civile dhe duke u bërë thirrje të gjitha palëve të respektojnë armëpushimin e 27 nëntorit 2024.
“Jemi të shqetësuar nga rritja e intensitetit të sulmeve izraelite në jug të Libanit. I dënojmë sulmet në të cilat vriten civilë,” tha ai.
Ai theksoi se armëpushimi duhet të zbatohet plotësisht dhe se angazhimet e marra në marrëveshje duhet të përmbushen nga të gjitha palët.
Franca, së bashku me SHBA-të, mbetet plotësisht e angazhuar në mekanizmin e monitorimit të armëpushimit dhe vazhdon pjesëmarrjen në misionin paqeruajtës të OKB-së – UNIFIL.
Parisi gjithashtu ripohoi mbështetjen për planin e shpallur më 5 shtator 2025, sipas të cilit qeveria libaneze shprehu synimin për të çarmatosur Hezbollahun dhe për të vendosur Ushtrinë Libaneze (LAF) në të gjithë jugun e vendit.












