BE planifikon t’u japë fund importeve të karburanteve fosile nga Rusia deri në vitin 2027, por grupi mjedisor kritikon zakonet e shpenzimeve që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022
Franca, Belgjika dhe Spanja kanë shpenzuar më shumë për gazin natyror të lëngshëm rus (LNG) sesa për ndihmën ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës në vitin 2022, tha grupi mjedisor “Greenpeace Belgium”, transmeton Anadolu.
Raporti zbuloi se të tre vendet, së bashku me Holandën, përbënin 95 për qind të importeve të LNG-së në Bashkimin Evropian dhe paguan 34.3 miliardë euro (40.2 miliardë dollarë) për LNG-në ruse midis viteve 2022 dhe mesit të vitit 2025, krahasuar me 21.2 miliardë euro në mbështetje për Kievin.
Franca ishte blerësi më i madh me 12.75 miliardë euro, e ndjekur nga Spanja (9.5 miliardë euro) dhe Belgjika (6.21 miliardë euro). Belgjika siguroi 3.2 miliardë euro ndihmë për Ukrainën, Spanja 1.47 miliardë euro dhe Franca 7.56 miliardë euro. Holanda ishte i vetmi vend që shpenzoi më shumë për ndihmë (8.99 miliardë euro) sesa për LNG-në ruse (5.84 miliardë euro).
Sipas raportit, porti belg i Zeebrugge-s është bërë pika e vetme më e madhe e hyrjes për LNG-në ruse në BE, duke përpunuar rreth një të katërtën e të gjitha vëllimeve.
Importet përmes terminalit arritën në 3.3 miliardë metra kub në gjysmën e parë të vitit 2025, duke e vendosur atë në rrugën e duhur për të tejkaluar rekordet e mëparshme pavarësisht një ndalimi të BE-së për rieksportet.
Raporti thekson mbështetjen në rritje të BE-së në LNG nga SHBA-ja, duke vënë në dukje se blerësit evropianë kanë nënshkruar një valë kontratash afatgjata që nga viti 2022. “Greenpeace” paralajmëroi se kjo mund të zëvendësojë një varësi me një tjetër, duke bërë thirrje në vend të kësaj për një kalim të shpejtë në energjinë e rinovueshme.
Komisioni Evropian ka propozuar ndërprerjen e importeve të karburanteve fosile ruse deri në vitin 2027 ndërsa një paketë e re sanksionesh synon të ndalojë importet e LNG-së ruse deri në vitin 2026.