Forcat speciale hungareze duhej ta ndihmonin Dodikun të arratisej nga Bosnja dhe Hercegovina, Amerika i bëri presion Orbanit?

VSquare, Qendra Hungareze për Gazetari Hulumtuese, ka shkruar një tekst të gjerë mbi mënyrën se si forcat speciale nga ai vend arritën në Bosnje dhe Hercegovinë dhe ishin të gatshme të “shpëtonin” presidentin e RS-së, Milorad Dodik, në rast të një dënimi fajësues.

Në fund të shkurtit, forcat speciale të policisë hungareze u vendosën në Republikën Srpska me një qëllim të fshehtë: të mundësonin nxjerrjen e shpejtë të Milorad Dodikut në Hungari në rast se Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës urdhëronte arrestimin e tij për veprimet e tij separatiste, thanë për VSquare burime të shumta të pavarura të njohura me operacionin.
Kjo nuk ndodhi, kryesisht për dy arsye.

Së pari, edhe pse Dodik u dënua me burg, ai nuk u arrestua dhe iu dha mundësia për të apeluar. Së dyti, vendosja dhe plani i Hungarisë u zbuluan nga autoritetet që monitorojnë nga afër rajonin.

Mbulesa për dislokimin e forcave hungareze ishte një stërvitje dhe trajnim i përbashkët me policinë lokale.

Shtëpia e sigurt e Orbanit

A ishin forcat speciale hungareze duke u stërvitur për arratisjen e Dodikut? Shumë gjëra kujtojnë rastin e Gruevskit.

Pas kësaj, në fillim të marsit, tensionet midis Hungarisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës u përshkallëzuan më tej kur një avion ushtarak hungarez, i cili transportonte një sekretar shteti, u pengua të ulej në vendin tonë.

Sipas këtij mediumi, ministri i Mbrojtjes i Bosnje dhe Hercegovinës, Zukan Helez, tha se ishte informuar për planin e Dodikut për të ikur në Hungari nëse do të dënohej.

Ndërkohë, të zemëruar nga veprimet e Hungarisë, kolegët amerikanë lëshuan një paralajmërim për forcat speciale hungareze, pretendon një burim i lidhur me qeverinë e Viktor Orbanit.

Zyrtarisht, si autoritetet hungareze ashtu edhe ato të Republikës Srpska pretendojnë se ajo që ndodhi ishte thjesht një stërvitje e përbashkët.

“Stërvitje e përbashkët”

Theksohet se Dodik vizitoi Orbanin në Budapest më 17 shkurt 2025, së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Pas kësaj vizite, njësia elitare e forcave speciale hungareze TEK, e besnikëve të Orbanit dhe e drejtuar nga ish-truproja kryesor i kryeministrit hungarez dhe ndihmësi i tij i besuar, János Hajdu, mori detyrën për të përgatitur dhe ekzekutuar një mision shpëtimi nëse do të ishte e nevojshme. Nuk është e qartë nëse ky plan u bazua në idenë apo iniciativën e dikujt të caktuar, shkruan ky medium.

“Dënimi ishte caktuar për 26 shkurt 2025. Në atë që konsiderohej si skenari më i keq i mundshëm, u hartuan plane që forcat hungareze të lehtësonin arratisjen e Dodikut nga Banja Luka përmes Kroacisë në Hungari, që është rruga më e shkurtër dhe më e drejtpërdrejtë,” theksohet.

Më tej, përmendet se autoritetet hungareze e konsideruan mundësinë që Dodiku mund të përballej me arrestimin e pashmangshëm nëse gjykata e shpallte fajtor.

Një burim i njohur me detajet e misionit zbuloi se katër njësi operative dhe një njësi zbulimi, pra gjithsej 70 persona me automjete dhe një kamion të madh që shërbente si qendër komanduese operative mobile, u dërguan në Republikën Srpska rreth 24 shkurtit. Për t’u përgatitur dhe për të siguruar operacionin e mundshëm, u kryen zbulime dhe monitorime të gjera.

I njëjti medium raporton se njësitë TEK ishin vendosur në Akademinë e Policisë në Banja Luka, konkretisht në Qendrën e Trajnimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Srpska në Zalužani.

TEK është pjesë e rrjetit ATLAS, një koalicion evropian i njësive speciale të ndërhyrjes që rregullisht kryen stërvitje ndërkombëtare të përbashkëta. Megjithatë, stërvitje të tilla zakonisht njoftohen publikisht paraprakisht dhe dokumentohen për qëllime të marrëdhënieve me publikun. Për më tepër, në rrjetin ATLAS nuk ka njësi në Bosnje dhe Hercegovinë. Kryerja e zbulimit të fshehtë para dhe gjatë një stërvitjeje të tillë është gjithashtu e pazakontë.

Pavarësisht vendosjes, autoritetet hungareze heshtën për disa ditë mbi “stërvitjen e përbashkët”.

Vetëm më 26 shkurt, disa orë para vendimit në rastin e Dodikut, Qendra Hungareze për Luftën kundër Terrorizmit (TEK) pranoi zyrtarisht praninë e forcave të saj në Bosnje dhe Hercegovinë. Megjithatë, një ditë më parë, ardhjen e tyre e pranoi edhe vetë Dodik, duke thënë se forcat speciale hungareze ishin në Republikën Srpska për stërvitje të përbashkëta dhe trajnim me policinë lokale.

Ndërkohë, detajet e operacionit u zbuluan më 25 shkurt, një ditë pas mbërritjes së TEK dhe një ditë para vendimit gjyqësor.

Autoritetet kroate u bënë të vetëdijshme për komplotin, tha një zyrtar i qeverisë evropiane i specializuar në çështjet e sigurisë, i cili kërkoi të mbetet anonim. Gazetarët kroatë kontaktuan ministritë përkatëse dhe i vunë në dijeni për situatën.

“Supozoj se ata do ta kishin ndaluar gjithsesi,” tha zyrtari evropian i përfshirë në çështjet e sigurisë për komplotin e pretenduar për të kaluar Dodikun përmes territorit kroat, duke iu referuar monitorimit të rreptë të ngjarjeve në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi nga shërbimet e inteligjencës kroate.

Plani fillestar ishte që Dodiku të nxirrej përmes kufirit kroato-hungarez pranë qytetit Mohaç në jug të Hungarisë pa informuar autoritetet kroate, zbuloi një burim i njohur me detajet e misionit. Nëse do të ishte e nevojshme, Dodiku mund të nxirrej edhe përmes Serbisë, duke kaluar kufirin serbo-hungarez pranë qytetit të Szegedit.

Më tej, media thekson se “nuk është për t’u habitur që autoritetet amerikane ishin të zemëruara kur zbuluan qëllimin e fshehur pas misionit elitar të policisë speciale të Orbanit në Banja Luka”.

Autoritetet boshnjake gjithashtu reaguan ashpër ndaj Hungarisë, jo vetëm për praninë e TEK, por edhe për komentet e zyrtarëve të lartë. Ministri i Mbrojtjes, Zukan Helez, refuzoi të lejonte uljen e avionit ushtarak hungarez më 3 mars 2025.

Ambasadori hungarez në Bosnje dhe Hercegovinë u thirr dhe iu dorëzua një notë proteste.

Kategoritë
LajmeRajoni