Klubi gjigand turk Fenerbahçe ka themeluar zyrtarisht shkollën e futbollit në Prizren, duke sjellë një mundësi të re për talentet e rinj të qytetit dhe rajonit. Sot janë zhvilluar stërvitjet e para, duke shënuar fillimin e një projekti të rëndësishëm sportiv në Kosovë.
Me iniciativën e Kryetarit të Shoqatës Fenerbahçe në Kosovë, Mahir Mula, është funksionalizuar me qëllim që t’u ofrojë fëmijëve dhe të rinjve trajnim profesional sipas metodologjisë dhe standardeve të klubit Fenerbahçe.
Stërvitjet do të zhvillohen sipas grupmoshave, duke u fokusuar në zhvillimin teknik, përgatitjen fizike dhe disiplinën sportive. Qëllimi kryesor është identifikimi dhe zhvillimi i talenteve që në moshë të re.
Një ndër pikat më të rëndësishme të këtij projekti është mundësia që lojtarët më të talentuar dhe më të suksesshëm të kenë rastin të përfshihen në akademinë e Fenerbahçes në Turqi. Kjo krijon një urë lidhëse mes Prizrenit dhe njërit prej klubeve më të mëdha në Turqi, duke hapur perspektivë ndërkombëtare për futbollistët e rinj.
Themelimi i kësaj shkolle konsiderohet një hap i rëndësishëm për zhvillimin e futbollit në rajon dhe për fuqizimin e brezit të ri përmes sportit./Gazeta e Re
















