Në qytetin e Gazës, pas më shumë se dy vitesh lufte dhe shkatërrimi, fëmijët janë rikthyer sërish në bankat shkollore. Aty ku dikur ishin klasa, sot janë çadra që shërbejnë për arsimim.
Në lagjen Tel al-Hawa, në jugperëndim të qytetit të Gazës, fëmijët mësojnë mes rrënojave të shkollës Lulwa Abdel Wahab al-Qatami, e cila u godit në janar të vitit 2024. Për muaj të tërë, oborri i shkollës shërbeu si strehë për familjet e zhvendosura.
Sot, ai është sërish një vend mësimi pa mure, pa rrymë dhe pa internet, por me tabela, fletore dhe mësues që përpiqen t’u rikthejnë fëmijëve të paktën një copëz normaliteti.
Sipas të dhënave të UNICEF-it, më shumë se 97 për qind e shkollave në Gaza janë dëmtuar ose janë shkatërruar plotësisht gjatë luftës.
Nga rreth 658.000 fëmijë të moshës shkollore në Rripin e Gazës, shumica për gati dy vjet nuk kanë pasur arsim formal. Gjatë kësaj periudhe, shumë fëmijë, në vend të mësimeve shkollore, mësuan për urinë, zhvendosjen dhe vdekjen.
Katërmbëdhjetëvjeçari Naeem al-Asmaar ndiqte këtë shkollë para shkatërrimit të saj. Gjatë luftës, ai humbi nënën në një sulm ajror izraelit.
“Kjo ishte gjëja më e vështirë që kam kaluar ndonjëherë. Shumë më mungonte shkolla. Para luftës kishim klasa të vërteta, tani janë çadra. Mësojmë vetëm katër lëndë. Nuk është njësoj, por është e rëndësishme. Shkolla sërish i mbush ditët e mia”, tha djali.
Ndjenja të ngjashme ndan edhe Rital Alaa Harb, nxënëse e klasës së nëntë, e cila ëndërron të bëhet stomatologe.
“Zhvendosja e ndërpreu plotësisht arsimimin tim. Nuk kishte shkollë, nuk kishte kohë për të mësuar. Më mungonin më së shumti shoqet dhe shkolla ime e vjetër”, tha vajza.
Shkollën e improvizuar e drejton UNICEF-i dhe ajo mbledh fëmijë nga kjo dhe nga shkolla të tjera që janë shkatërruar gjatë luftës. Mësimi nuk zhvillohet sipas planprogramit të plotë palestinez, ndërsa ligjërohen vetëm bazat: gjuha arabe, gjuha angleze, matematika dhe shkencat natyrore.
Aktualisht, shkollën e ndjekin rreth 1.100 nxënës, të shpërndarë në tri ndërrime ditore, me vetëm 24 mësues. Djemtë dhe vajzat ndjekin mësimin me radhë për shkak të mungesës së hapësirës.
Përveç mungesave materiale, fëmijët përballen edhe me pasoja të rënda psikologjike të luftës. Më shumë se 100 nxënës kanë humbur njërin ose të dy prindërit, shumë prej tyre kanë mbetur pa shtëpi ose kanë qenë dëshmitarë të vrasjeve.
UNICEF paralajmëron se situata është përkeqësuar edhe më tej nga kufizimet për hyrjen e ndihmës humanitare në Gaza. Ata theksojnë se mungojnë letra, fletore, lapsa, goma dhe mjete të tjera bazë, pa të cilat arsimi është pothuajse i pamundur.











